Ministri i Drejtësisë kërkon shkarkimin e sekretares së Përgjithshme

Ministri i Drejtësisë letër Ramës: Të pezullohet urgjentisht nga detyra sekretarja e Përgjithshme e MD, është kandidate e PS.
Ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të pezullohet nga detyra sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha me argumentin se ushtron këtë detyrë në kundërshtim me ligjin.
Kjo, shpjegon ministri, pasi Juliana Hoxha është kandidate për deputete e PS-së. Ministri teknik ka informuar për rastin edhe kryeministrin Edi Rama, njoftojnë burime zyrtare nga MD.
“Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil dhe të pezullojë nga detyra, sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.
Për këtë arsye, ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit”, thuhet në një njoftim të ministrisë.
“Ministria e Drejtësisë gjen edhe një herë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, vijon njoftimi.
Ministri Bardhi ka kallëzuar në Prokurori 8 zyrtarë të ZRPP dhe Burgjeve dhe i ka shkarkuar nën akuzës e pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim me ligjin.

Artikulli paraprakNishani: Prioriteti i politikës duhet të jetë anëtarësimi në BE
Artikulli tjetërUnited nuk rinovon me Ibrën