Nishani: Ne nuk mund të harrojmë, jo për t’u hakmarrë!

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë pune në Mirditë, ku fillimisht u ndal  në Kishën e Shën Llezhdrit në Orosh (ish-Abacinë) duke u mikpritur nga Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit dhe besimtarë të shumtë. Presidenti Nishani vizitoi edhe Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozef Punëtori” ku u takua përzemërsisht me nxënësit e mësuesit, duke theksuar rëndësinë e shkollimit e të përfitimit të dijeve, ruajtjes e pasurimit të vlerave dhe traditave më të mira të Mirditës, si dhe mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të disa fidanëve pemësh frutore mani nga bamirësja austriake Marianne Graf.
Më pas, Kreu i Shtetit shqiptar përshëndeti Simpoziumin “Mirdita në mes të Katedraleve dhe Kapedanëve”, në Pallatin e Kulturës të Rrëshenit, të organizuar nën kujdesin e Institucionit të Presidentit të Republikës, ku ishin të pranishëm gjithashtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryebashkiaku i Miriditës, Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Lezhë, Nënprefekti i Mirditës, autoritete dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Imzot Palmieri dhe klerikë, historianë, akademikë, profesorë dhe banorë të shumtë të Mirditës e familje të shquara të saj.
Në fjalën e Tij me të këtë rast, Kreu i Shtetit, pasi u shprehu falënderimet për mikpritjen dhe vlerësoi referuesit e ndryshëm për punën e tyre intelektuale, kërkimore-shkencore, sepse “kështu do të mbahet gjallë trashëgimia e jashtëzakonshme e vlerave historike dhe identitare shumëshekullore”, theksoi mes të tjerash: “Gjatë  këtij muaji kam pasur rastin të udhëtoj shumë treva shqiptare. Isha para disa javësh në Preshevë e Bujanovc, më pas në Gjirokastër, sot në Mirditë dhe kudo ku shkon gjen shpirtin dhe identitetin kombëtar shqiptar, zakonet, kulturën, dallimet e kësaj trashëgimie”.
Presidenti i Republikës vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Preng Marka Prengën (pas vdekjes) dhe Frrok Mëlyshin (pas vdekjes); ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Preng Bibë Dodën (pas vdekjes) si dhe me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Derën e Gjonmarkajve me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të mbrojtjes së  identitetit  kombëtar dhe në mënyrë të veçantë, të trevës së Mirditës, për luftën shumëshekullore kundër pushtuesve të atdheut dhe për rezistencën e tyre deri në sakrifica sublime, kundër vendosjes së diktaturës komuniste në trojet shqiptare”.

Artikulli paraprakNjë grup i vogël zotëron paratë në banka
Artikulli tjetërTosi i Veronës i shqetësuar për skandalin