Nis procesi i vettingut, do të merren në pyetje 193 kandidatë

Një ditë pas votimit në Kuvend, ka filluar punën Komisioni i parë Ad Hoc, nga e cila do të dalë lista e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit. Kushtetuta dhe Ligji e kanë të detajuar procedurën e ngritjes së organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, pritej vetëm ngritja e komisioneve me emrat e opozitës, e cila ka të njëjtin numër anëtarësh me mazhorancën në komisionet përzgjedhëse parlamentare. Këta janë 6 anëtarët e Komisionit të parë Ad Hoc të Kuvendit që do t’u duhet maksimumi dhjetë ditë të përzgjedhin mes 193 aplikantëve tek Avoakati i Popullit më të pastrit e profesionistët për dy institucionet e vetingut dhe komisionerët publikë.

Listat

Në Kuvend, aktualisht janë dorëzuar tre lista: e para është ajo e Avokatit të Popullit me 84 persona që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë në këto komisione. Një listë tjetër ka të bëjë me ata persona që   nuk i plotësojnë, kriteret ndërkohë që është prezente dhe lista e rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që përmban 67 emra, por që nuk janë bërë publikë. Pasi komisioni të ketë verifikuar çdo dokumentacion dhe pasi të kenë dëgjuar të 193 aspirantët për pastrimin e drejtësisë, do të hartohet një listë unike, që ju përcillet dy komisioneve që kanë përkatësisht 12 dhe 6 anëtarë.  Kushtetuta dhe Ligji parashikon që brenda 30 ditëve nga konstituimi i Komisionit Ad Hoc, secili nga 12 anëtarët e komisionit të parë përzgjedh nga lista unike një kandidat për komisioner pa debat dhe me votim të fshehtë elektronik. Secili anëtar voton për një kandidat. Më pas, përzgjidhen dy të tjerë për komisionerë publikë. Kandidatët me më shumë vota quhen të përzgjedhur. Në rastet kur ka barazi votash atëherë, hidhet shorti. Në fund, komisioni zgjedh edhe dy kandidatë zëvendësues për secilin pozicion.

Kolegji i apelimit

Po kështu brenda të njëjtës periudhë kohore 30 ditore, secili prej 6 anëtarëve të Komisionit tjetër Ad Hoc përzgjedh nga lista unike e kandidatëve për votim nga një kandidat për gjyqtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik. Më pas, përzgjedh gjyqtari i shtatë nga kandidatët e mbetur të listës unike, përmes një votimi të thjeshtë. Kandidati me më shumë vota quhet i përzgjedhur. Edhe këtu shorti zgjidh rastet me barazi vote. Dy gjyqtarë zëvendësues për secilin pozicion përzgjidhen në të njëjtën mënyrë si për gjyqtarin e shtatë. Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga dy Komisionet Ad Hoc përzgjedhëse përmblidhen në një listë të vetme dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, lista e kandidatëve që të quhet e miratuar do të duhet të marrë 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 84 vota. Në rast se, Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Komsionet Ad Hoc përsërisin procesin, duke harruar një ose të dytë. Në këtë rast parashikohet si shumicë e cilësuar votimi jo ajo e miratimit. Por lista do të quhet e miratuar nëse nuk rrëzohet nga 2 të 3 e anëtarëve të Kuvendit, pra nga një shumicë prej 94 votash. Por të jesh anëtar i Komisionit të Rivlerësimit apo Kolegjit të Apelimit, duhet të kesh plotësuar një sërë kriteresh, ligji është mjaft strikt në këtë pikë. Neni 6 i tij përcakton se përgjatë dhjetë viteve të fundit, ai nuk duhet të ketë mbajtur funksione publike në administratë ose të këtë kryer veprimtari politike. Një pikë tjetër është dhe ajo që s’duhet të ketë qenë pjesë e organeve të Sigurimit të Shtetit, informator, bashkëpunëtor ose agjent i tij, brenda dhe jashtë vendit. Të ketë, kualifikimet përkatëse në fushën e jurisprudencës dhe të ketë punuar të paktën 15 vjet, si gjyqtar, avokat, prokuroror apo profesor i të drejtës në mësimëdhënie. Më poshtë janë dhe kriteret përzgjedhëse për ata që do të kryejnë funksionin e komisionerit publik, ose të anëtarit të Kolegjit të Apelit.

Gjyqtarëve dhe prokurorëve do u verifikohet jo vetëm pasuria dhe shkelja e ligjit

Nga ky sistem rivlerësimi do kalojnë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë në të gjithë vendin, të cilëve do u  verifikohet më së pari, pasuria dhe e gjithë veprimtaria e tyre në gjyqësor. Në Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive e kanë dorëzuar thuajse të gjithë, që nga nëntori i vitit të shkuar, ndërkohë që ligji parashikon se në rast të mosdorëzimit të deklaratave ose shmangjes së vettingut, atëherë ai automatikisht quhet i dorëhequr nga sistemi dhe ndaj tij nuk ndërmerret asnjë proces tjetër hetimor.  Më pas, pas verifikimit të pasurisë dhe deklaratave të Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe asaj të Informacionit të Klasifikuar, të gjithë subjektet që janë pjesë e vettingut, do të duhet të kalojnë në një proces që teston kualifikimin e tyre dhe që bëhet nga Shkolla e Magjistraturës. Në bazë të rezultateve, ky institucion përgatit dhe deklaratën që ja përcjell Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit. E gjithë procedura monitorohet nga ONM, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që në përbërje të tij ka ekspertë të huaj të fushës së jurisprudencës nga Evropa.  Çdo prokuror ose gjyqtar që të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit duhet të kalojë nëpër të gjithë kalvarin e vettingut. Pra, duhet të kalojë në sitën e ILDKPI-së, Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Shkollës së Magjistraturës. Vlerësimin final në bazë të rezultateve e japin Komisioni dhe Kolegji i Apelimit, nëse gjyqtari apo prokurori do të jenë pjesë e sistemit apo jo. Në rastet kur këta nuk e kalojnë vettingun, atëherë furnizuesi i sistemit me gjyqtarë apo prokurorë të tij do të jetë Shkolla e Magjistraturës.

Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve për Komisionin dhe Kolegjin e Apelimit

1. Anëtar i Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e
mëposhtme:
(a) ka përfunduar studimet në drejtësi, në nivelin e dytë të studimeve ose studime të
barasvlershme me to, brenda ose jashtë vendit;
b) të ketë eksperiencë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës,
nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një aktivitet të njohur në fushën e së drejtës
administrative ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral,
nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme.
ç) nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione
drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit;
d) ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë
për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
e) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, apo ndonjë masë tjetër
disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit;
f) të ketë kaluar me sukses kontrollin e deklarimit të pasurisë së tij, ose të personave të lidhur me
të;
g) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990
dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informant ose agjent i ndonjë shërbimi sekret.
gj) zotëron shumë mirë gjuhën angleze;
2. Përmbushja e kritereve të mësipërme vlerësohet, në veçanti, bazuar në:
a) titujt shkencorë në fushën e së drejtës;
b) eksperiencën e veçantë të kandidatit në sfera të caktuara të së drejtës;
c) vjetërsinë në profesion;
ç) përvojën profesionale jashtë shtetit;
d) notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar studimet brenda vendit;

Vlerësimi i figurës, në raport dehe telefonatat me persona të dyshimtë

Por gjyqtarët ose prokurorët mund të skualifikohen nga procese dhe në raste kur nga hetimi i pasurisë, ose veprimtarisë së tij në gjyqësor ka rezultuar i pastër. Për shembull Drejtoria e Informacionit të  Klasifikuar kur bën vlerësimin e figurës, mund të japë vlerësim negativ dhe në rastet për shembull, kur një njeri i familjes së gjyqtarit apo prokurorit rezulton si pjesëtar i krimit të organizuar, ose kur vërtetohet që gjyqtari apo prokurori ka kryer telefonata me persona të dyshuar si të përfshirë në rrjetet kriminale.

Kriteret e vlerësimit të figurës

3. Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një
person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur:
a) subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar;
b) subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një telefonatë me një person të përfshirë në krimin e organizuar;
c) subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
ç) subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
d) subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar. Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e skeduar në regjistrat përkatës.

Armand MAHO

Artikulli paraprakKamza rikthehet në Superiore
Artikulli tjetërKatër javët e fundit, Basha: Koha e maskarenjve po mbaron