Nis edukimi i votuesve të rinj, 35 mijë maturantë votojnë për herë të parë

Në Shqipëri, Akademia e Studimeve Politike po zhvillon një seri takimesh me maturantë, që votojnë për herë të parë.
Programi i edukimit të këtyre votuesve të veçantë po mbështetet nga Këshilli i Europës dhe diplomatë perëndimorë, që po diskutojnë me të rinjtë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në demokraci. Akademia e Studimeve Politike zhvilloi dje në Tiranë një takim me nxënës të shkollës së gjuhëve të huaja, që votojnë për herë të parë.
Këtë vit janë mbi 35 mijë maturantë, që votojnë për herë të parë dhe programi i edukimit të votuesve për herë të parë në zgjedhjet e 25 qershorit është shtrirë në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë. Në serinë e takimeve me maturantët po marrin pjesë edhe shumë ekspertë të legjislacionit, shoqërisë civile dhe diplomatë të vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë.
Ata po diskutojnë me të rinjtë mbi rëndësinë e angazhimit qytetar në demokraci.
“Në Shqipëri qytetarët e rinj duhet të përdorin votën e tyre dhe kjo është gjëja më e mirë që duhet ta bëjnë shumë shpesh. Zvicra është një nga vendet më të vjetra demokratike, ku qytetarët e përdorin shumë shpesh votimin në jetën e tyre të përditshme. Ja pse ne i mbështesim të rinjtë shqiptarë. Ata duhet të mësojnë se çdo votë numërohet dhe se angazhimi i tyre në demokraci është i nevojshëm. Vetëm nëse ju merrni pjesë në votime ju mund të ndikoni në punët e vendit, nëse nuk merrni pjesë ju nuk mund të ndikoni në demokracinë e vendit”, tha Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Shqipëri.
Në këto takime maturantët marrin këshilla praktike dhe ligjore, si dhe shumë informacion mbi rregullat e një procesi votimi për të qenë sa më të qetë gjatë ushtrimit të të drejtës së tyre për të votuar. Kjo është një veprimtari që Akademia e Studimeve Politike e kryen prej 6 vitesh, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, Ministrinë e Arsimit dhe KQZ.

OKB ofron ekspertizë teknike për zgjedhjet

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, priti në një takim  Koordinatorin e Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Përfaqësues i Përhershëm i Programit për Zhvillim (KB),  Brian J. Williams. Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi mes KQZ-së dhe Kombeve të Bashkuara për zgjedhjet parlamentare të datës 25 qershor 2017. Kryetari i KQZ-së,  Zguri e njohu Williams me ecurinë e përgatitjeve të procesit zgjedhor dhe hapat që KQZ po ndërmerr për të garantuar zbatimin e ligjit për partitë politike, i cili u ndryshua nga Kuvendi i Shqipërisë disa ditë më parë dhe që parashikon monitorim rigoroz të financimit të partive politike dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore. Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara shprehu gadishmërinë e organizatës që përfaqëson, për të ofruar ekspertizë teknike në fushën e zgjedhjeve.

Artikulli paraprakNATO mirëpret Malin e Zi
Artikulli tjetërMorata i thotë “Po” Milanit