“Ngec” Interi, Roma zhgënjen në Torino

Ndalet Interi pas tri fitoreve radhazi në Serinë A. Zikaltrit barazuan 1-1 në “San Siro” ndaj Bolognës, duke humbur dy pikë të rëndësishme ndaj Juventusit dhe Napolit. Emilianët të vendosur mirë në fushë befasuan në minutën e 14 me Mattia Destron, që i gjendur përballa Handanoviç shënoi me një goditje rrafsh me tokën.
Interi pas shumë përpjekjesh arriti të barazonte në minutën e 37-të me Perisiç që goditi fluturimthi, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Da Costa. Gjatë pjesës së dytë De Boer i dha mundësinë e debutimit brazilianit Gabigol, por asgjë nuk ndryshoi, edhe pse Ranocchia në kohën shtesë pati një mundësi të artë për të shënuar golin e fitores.
Nuk nxori fitues as përballja e “Artemio Franchi-t” mes Fiorentinës dhe Milanit, e cila përfundoi në barazim 0-0. Një tjetër rezultat që u shkon për shtat Napolit dhe Juventusit, që mbeten të distancuar nga ndjekësit. Kuqezinjtë ishin me fat në këtë takim pasi në pjesën e parë Iliçiç humbi një 11-metërsh, që mund të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Pika e fituar në Firence e çon Milanin në kuotën e 10 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa skuadra vjollcë mbetet e 11-ta me 2 pikë më pak.
Ndeshjet në transfertë vazhdojnë të mbeten një tabu për Romën në këtë fillim sezoni. Verdhekuqtë u mposhtën 3-1 në fushën e Torinos, duke humbur më shumë terren me kreun e renditjes. Skuadra granata e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 8-të me Belottin, ndërsa në të 53-ën Falque dyfishoi shifrat.
11-metërshi i realizuar nga Totti vetëm dy minuta më pas dha përshtypjen e rremë se verdhekuqtë mund të përmbysnin shifrat, pasi në të 65-ën Falque shënoi golin e 3-1 me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fund. Beloti hapi serinë e golave për torinezët në minutën e 8 dhe ky ishte goli i vetëm i shënuar në pjesën e parë. Në të dytën Torino dyfishoi shifrat në minutën e 53-të falë një penalltie të shndërruar në gol nga Falke. Po me penallti, dy minuta më vonë Françesko Toti ngushtoi shifrat duke rihapur takimin. Por shpresat e Romës u shuan sërish pasi në minutën e 65-të, Falke shënoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për Torinon.
Mbrojtësi shqiptar Arlind Ajeti nuk ishte grumbulluar këtë javë nga trajneri Mihajloviç, edhe pse u rikuperua nga dëmtimi. Atij do i duhet edhe pak kohë që të kapë formën e duhur fizike. Pas 6 ndeshjesh, Torino ka grumbulluar 8 pikë duke u renditur provizorisht në vend të 8, ndërsa Roma mbetet në kuotën e 10 pikëve në vend të 4-t.

Artikulli paraprakBarça, e frikshme!
Artikulli tjetërXhaka në formacionin e javës