Nëse rrëzohet civilizimi perëndimor

Rachel Nuwer, BBC

Ekonomisti politik, Benjamin Friedman dikur e krahasoi shoqërinë moderne perëndimore me një biçikletë të qëndrueshme, rrotat e të cilës xhironin falë rritjes ekonomike. Nëse lëvizja që e shtyn përpara do të ngadalësohej ose ndalonte, shtyllat që mbajnë në këmbë shoqërinë tonë – demokracia, liritë individuale, toleranca sociale etj., – do të fillonin të lëkundeshin. Bota jonë do të shndërrohej në një vend të shëmtuar të mbushur me beteja për burimet e kufizuara dhe me largimin e kujtdo që nuk bën pjesë në grupin e ngushtë. Nëse nuk gjenden mënyra për të rindezur rrotat në lëvizje, Perëndimi do të përballej me kolapsin e plotë shoqëror.
Këto kolapse kanë ndodhur shumë herë më parë në historinë njerëzore dhe asnjë civilizim, sado madhështor, nuk është i mbrojtur nga dobësitë që të çojnë drejt fundit të civilizimit. Pavarësisht se sa mirë shkojnë gjërat në të tashmen, situata mund të ndryshojë radikalisht. Duke lënë mënjanë eventet që çojnë drejt zhdukjes së specieve si goditja e asteroidëve, dimri bërthamor apo epidemitë vdekjeprurëse, historia na tregon se zakonisht ka një sërë faktorësh që nxisin njëri-tjetrin dhe të çojnë drejt kolapsit. Cilët janë ato dhe a jemi duke vërejtur daljen e ndonjërit në sipërfaqe? Askush nuk duhet të çuditet për faktin se njerëzimi ndodhet në një rrugë të pasigurt dhe të paqëndrueshme – por sa afër mund të jetë me pikën ku nuk ka më kthim mbrapa? Edhe pse është e pamundur të parashikohet e ardhmja me siguri të plotë. Matematika, shkenca dhe historia mund të ofrojnë shenja rreth perspektivës së shoqërive perëndimore në periudhën afatgjatë.
Safa Motesharrei, shkencëtar i sistemeve në Universitetin e Marylandit, përdor modelet kompjuterike për të thelluar më shumë kuptimin e mekanizmave që çojnë drejt paqëndrueshmërisë ose kolapsit lokal dhe global. Sipas zbulimeve që ai dhe kolegët e tij kanë publikuar në vitin 2014, ka dy faktorë të rëndësishëm: stërmundimi ekologjik dhe stratifikimi ekonomik. Kategoria ekologjike është më e kuptueshme dhe është njohur tashmë si rruga që të çon drejt apokalipsit, veçanërisht në kushtet e pakësimit të burimeve natyrore si ujërat tokësore, dheu, jeta detare dhe pyjet – të gjitha që mund të përkeqësohen nga ndryshimi i klimës.
Fakti që stratifikimi ekonomik mund të çonte drejt kolapsit ishte një çudi për Motesharrein dhe kolegët e tij. Sipas këtij skenari, elitat i shtyjnë shoqëritë drejt destabilizimit dhe kolapsit të mëpasshëm, duke përvetësuar sasi të mëdha pasurie dhe burimesh, si dhe duke bërë shumë pak ose asgjë për njerëzit e zakonshëm, të cilët janë më të shumtë në numër dhe mbështesin elitën falë punës së tyre.
Një ditë, popullsia punëtore rrëzohet pasi pjesa e pasurisë që është alokuar për ta është e pamjaftueshme, duke çuar më pas në kolapsin e elitës për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Pabarazitë që shohim si brenda shteteve, por edhe ndërmjet tyre janë mëse të dukshme. Për shembull, 10 për qind e më të pasurve të botës janë po aq përgjegjës për sasinë e gazrave të dëmshëm që shkaktojnë ndryshimin e klimës sa e gjithë pjesa tjetër e botës prej 90 për qind. Po kështu, rreth gjysma e popullsisë së botës jeton me më pak se 3 dollarë në ditë.
Të dy skenarët flasin për kapacitetin mbartës – një numër të përafërt i nivelit të popullsisë që brenda një mjedisi të caktuar mund të mbijetojë me burimet që ka në dispozicion. Nëse kapaciteti mbartës e tejkalon këtë nivel, kolapsi është i paevitueshëm, megjithatë fati mund të shmanget. “Nëse bëjmë zgjedhje racionale dhe reduktojmë faktorët si pabarazia, rritja e jashtëzakonshme e popullsisë, norma me të cilën shfrytëzojnë burimet kundrejt normës së popullsisë, atëherë mund të shmangim kolapsin dhe të stabilizojmë të ardhmen”, thotë Motesharrei. “Por nuk mund të presim përgjithmonë për të marrë këto vendime”.
Fatkeqësisht, disa ekspertë besojnë se këto vendime të vështira i tejkalojnë mundësitë tona politike dhe psikologjike. “Bota nuk ka për t’u ngritur e vendosur për të luftuar ndryshimin e klimës gjatë këtij shekulli, thjesht për shkak se kjo është më e kushtueshme në periudhën afatshkurtër, kur e di që pasojat në fakt do t’i vuajnë brezat e mëpasshëm”, thotë Jorgen Randers, profesor i ndryshimit të klimës në Shkollën norvegjeze të Biznesit. “Problemi i klimës do të vazhdojë të përkeqësohet gjithmonë e më shumë dhe nuk do të jemi të aftë të respektojmë zotimet tona sipas Marrëveshjes së Parisit”.
Edhe pse të gjithë do të vuajnë pasojat e veprimeve tona të sotme, vendet më të varfra të planetit janë ato që do të ndjejnë të parat pasojat e kolapsit. Në fakt, disa shtete kanë filluar që tani të shohin pasojat e para. Siria, për shembull, gëzoi një normë të jashtëzakonshme fertiliteti për një periudhë kohe, që ushqeu një rritje të madhe të popullsisë. Një thatësirë e egër në fund të viteve 2000, e cila u përkeqësua nga ndryshimi i klimës, së bashku me mungesën e ujërave tokësorë, reduktoi ndjeshëm prodhimin bujqësor.
Kjo krizë la shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, të papunë, të pakënaqur dhe të dëshpëruar. Shumë iu drejtuan qendrave urbane duke përpirë burimet dhe shërbimet e kufizuara. Tensionet ekzistuese etnike u rritën, duke krijuar mjedisin ideal për lindjen e dhunës dhe konfliktit. Përveç kësaj, keqqeverisja e çoi vendin drejt luftës civile në vitin 2012 dhe drejt kolapsit tragjik që shohim sot.
Në rastin e Sirisë, si dhe në shumë kolapse të tjera sociale gjatë historisë – nuk ishte një faktor, por një grup i tërë faktorët që kontribuan dhe një nga një përkeqësuan gjendjen, thotë studiuesi Thomas Homer-Dixon. Ai paralajmëron se faktorët stresues janë duke u zhvilluar në fshehtësi dhe një ditë do të shpërthejnë duke destabilizuar mekanizmat shoqërorë.
Përveç rastit të Sirisë, një tjetër shenjë që tregon se po hyjmë në një zonë të rrezikshme, thotë Homer-Dixon, është shtimi i rasteve të paparashikueshme ose ndryshimet e papritura në rendin botëror, siç ishte kriza globale e vitit 2008, lindja e Shtetit Islamik, Brexit dhe fitorja e Donald Trump.
Deri tani, shoqëritë moderne perëndimore kanë arritur t’i mbajnë larg dhe ngadalësojnë faktorët që mund t’i çojnë drejt shkatërrimit, kryesisht përmes teknologjive industriale, por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme në të ardhmen. “Imagjinoni kostot marramendëse nëse do të duhet të ndërtonim një mur përreth Manhattanit për t’u mbrojtur nga stuhitë dhe rritja e nivelit të detit”, thotë Joseph Tainter i Universitetit të Utahut. Vjen një moment kur investimet për të zgjidhur problemet madhore nuk arrijnë të kenë më kthime, duke çuar drejt dobësisë fiskale dhe kolapsit.
Homer-Dixon parashikon se shoqëritë perëndimore, përpara se të ndodhen në prag të kolapsit, do të tërhiqen dhe izolohen për të shfrytëzuar burimet në atdheun e tyre. Teksa vendet e varfra do të vazhdojnë të shpërbëhen për shkak të konflikteve dhe burimeve natyrore, do të burojnë valë të jashtëzakonshme emigrantësh nga rajonet e shkatërruar, të cilët do të kërkojnë strehim në vendet më të qëndrueshme.
Shoqëritë perëndimore do të përgjigjen me kufizime të ashpra, madje edhe me ndalimin e plotë të emigrantëve, me mure disa miliona dollarëshe dhe drone e trupa patrulluese të kufijve, duke shkuar gjithmonë e më shumë drejt qeverisjeve më autoritare dhe populiste. “Është pothuajse vetëmbrojtje për shtetet që të ruajnë periferinë e tyre dhe shtyjnë jashtë presionet”, thotë Homer-Dixon.
Ndërkohë, rritja e hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve brenda shteteve të dobësuar perëndimore do t’i shtyjnë shoqëritë më shumë drejt deastabilizimit. “Deri në vitin 2050, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të kenë evoluar drejt shoqërive me dy shtresa speciale, ku elita e vogël do të jetë në bollëk dhe shumica e popullit do të ndjejë gjithmonë e më shunë rënien e mirëqenies”, shpjegon Randers. “E para që do të pësojë kolapsin do të jetë barazia”.
Qoftë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe apo në çdo vend tjetër perëndimor, sa më e pakënaqur dhe e zhgënjyer të jetë shoqëria, thotë Homer-Dixon, aq më shumë të prirur janë për t’u izoluar drejt identitetit të tyre – qoftë fetar, racial apo kombëtar. Mohimi i gjendjes së kolapsit do të përhapet me shpejtësi, së bashku me kundërshtimin e provave shkencore të tij. Nëse njerëzit pranojnë se ekzistojnë probleme, ata fillojnë ta hedhin fajin tek kushdo që nuk i përket grupit të tyre të identitetit, duke ushqyer akoma më shumë konfliktet.
“Këto janë faktorët psikologjikë që të çojnë drejt dhunës masive”, thotë Homer-Dixon. Kur të shpërthejë dhuna e lokalizuar ose një tjetër vend vendos të pushtojë, kolapsi do të jetë i vështirë për t’u shmangur. Europa, e cila ndodhet afër me Afrikën, është si një urë kalimi drejt Lindjes së Mesme dhe shtetet fqinjë politikisht më të dobëta të Lindjes do ta ndjejnë të parat presionin. Shtetet e Bashkuara do të rezistonin më gjatë përpara kolapsit, falë pozicionit gjeografik që e rrethon me oqean.
Në anën tjetër, shoqëritë perëndimore mund të mos përballen me një fund të dhunshëm dhe dramatik. Në disa raste civilizimet thjesht zhduken, duke u kthyer në histori sa hap e mbyll sytë. Perandoria britanike ka qenë në këtë rrugë që në vitin 1918, thotë Randers dhe vendet e tjera perëndimore mund të jenë gjithashtu në të njëjtën rrugë. Me kalimin e kohës thjesht mund të zbehen vlerat që e përkufizojnë këtë rajon. “Civilizimi perëndimor ndoshta nuk do të pësojë kolaps, por faktorët e vënë në lëvizje mund të ndikojnë negativisht duke zbehur natyrën e butë dhe miqësore të rajonit për shkak të rritjes së pabarazisë. Shoqëria liberale dhe demokratike do të dështojë, ndërsa qeveritë më të forta si Kina mund të dalin fitimtare”.
Disa nga këto parashikime dhe shenja të hershme mund të duken familjare, për shkak se kanë filluar të shfaqen. Ndërkohë që Homer-Dixon nuk çuditet nga eventet e papritura të kohëve të fundit në botë – madje këtë e parashikoi edhe në librin e tij të vitit 2006 – ai përsëri nuk priste që këto zhvillime të shfaqeshin përpara mesit të viteve 2020.
Megjithatë, civilizimi perëndimor nuk është destinuar të dështojë. Duke përdorur arsyen dhe shkencën për vendimmarrje, së bashku me lidershipin e mirë dhe vullnetin e mirë, shoqëritë njerëzore mund të avancojnë drejt mirëqenies më të madhe dhe zhvillimit. Edhe pse ndodhemi në stresin e ndryshimit të klimës, rritjes së popullsisë dhe reduktimit të burimeve energjetike, mund ta ruajmë shoqërinë tonë dhe madje ta përmirësojmë atë. Por për të arritur këtë nevojitet nxitja natyrore përballë presione të mëdha, në mënyrë që të jemi më bashkëpunues, më bujarë dhe më të hapur ndaj arsyes. Pyetja është, si mund të arrijmë ta ruajmë botën humane dhe të drejtë ndërkohë që kapërcejmë sfidat më të mëdha të historisë?

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRonaldo, “makthi” i Atletico Madrid
Artikulli tjetërKriza e sistemit dhe populizmi