Në grahmat e fundit të pushtetit, Rama vijon kapjen e institucioneve

Ervin Koçi, ish-deputet i Partisë Socialiste u zgjodh dje kreu i Autoritetit Mbikëqyrës Financiar (AMF). Emërimi i tij në krye të AMF është një përpjekje e dëshpëruar e Ramës për të kapur edhe ato pak institucione që nuk ishin në kontrollin e mazhorancës. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku e ka cilësuar si skandaloz emërimin e Koçit dhe si dëshmi e vënies së të gjitha institucioneve të pavarura nën kontrollin direkt të Ramës. “Sot në krye të Agjencisë për Mbikëqyrjen Financiare është vendosur ish-deputeti i Partisë Socialiste. Nuk jam marrë e nuk merrem kurrë me kolegët, por uzurpimi politik i institucioneve të pavarura që ka ndodhur në këto 4 vite është i paprecedentë. Vendosja e ish-deputetit është një tregues i botëkuptimit totalitar që kryeministri ka për institucionet. Ai i mendon ato ose si objekt shantazhi ose si objekt miklimi. Të gjithë jemi në dijeni se, shkarkimi i drejtueses së djeshme të agjencisë nuk qe për arsye performance. Ish-kryetarja e Agjencisë u miratua vetëm një vit më parë me propozim të PS dhe në rezolutën e kaluar në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, propozoheshin rekomandime për zbatim për tregun problematik të sigurimeve, por asnjë masë për ndërrimin e kreut. Pra, kush është arsyeja që kryeministri shkarkon ish-kryetaren dhe emëron ish-vartësin e tij? Asnjë arsye më shumë se sa kapja politike”, thekson Tabaku. Deputetja demokrate dënon gjithashtu mënyrën se si po trajtohen vendet e punës, ku aktualisht në prag të fushatës zgjedhore janë hapur 2500 vende pune me kontratat të parakohshme, një mjet ky për të blerë vullnetin e lirë të qytetarëve gjithashtu. “Sot, kapja politike e AMF është në vazhdën e kapjes politike të pjesës më të madhe të institucioneve të pavarura. Mbas Autoritetit të Medias, Autoritetit të Konkurencës, Komisionerit për të Dhënat Personale, Institutit të Statistikave dhe nisjes së procedurave për Avokatin e Popullit pa opozitën (ndryshe nga sa u veprua dje nga Partia Demokratike në qeverisje), radhën e pati dhe AMF. Në fillim të 2013, kur kryeministri premtonte majtas e djathtas, theksonte se djemtë e vajzat më të mira që kanë studiuar jashtë do të vijnë në krye të institucioneve të pavarura. Sigurisht, si shumë premtime të tjera dhe ky u harrua. Më i rëndësishëm është pushteti. Çdo gjë në funksion të tij. Sot administrata publike është mbushur me militantë partie, duke humbur kujtesën institucionale. Institucionet e pavarura drejtohen nga deputetë, vartës të kryeministrit apo dhe ish-funksionarë të lartë të PS. Krimi ndaj institucioneve vazhdon edhe sot, ku Rama Republika ka hapur para zgjedhjeve 2500 vende me kontratë 3-mujore në administratë”, thekson Tabaku. “Godinat publike janë shndërruar në selitë apo zyra të propagandës së pushtetit. Duke rikonfirmuar se qëllimi përfundimtar i kryeministrit është dhunimi i zgjedhjes, se kryeministri vuan nga ndjesia për të zgjeruar pushtetin e tij deri në institucionin e fundit që mban demokracinë në këmbë. Ai po përpiqet sot që nga zyra e tij të prodhojë edhe opozitën e re. Duke na kujtuar thënien e famshme të regjimit komunist, “I gjithë pushteti në dorë të sovjetëve”! Prandaj kjo duhet të ndryshojë! Përpjekja 46 ditore e shqiptarëve është akti më i guximshëm dhe qytetar për të rrëzuar autokracinë dhe mendësinë totalitare të qeverisë dhe rilindjes. Përpjekje që do të kulmojë me krijimin e demokracisë institucionale, që nuk do të jetë në shërbim të një pale, por në shërbim të qytetarëve. Kushdo që ka frikë nga kjo demokraci përpiqet të minojë institucionet dhe kërkesat legjitime të opozitës”, thekson Tabaku. Prej 8 vitesh deputet dhe me profesion ekonomist, Koçi u propozua nga qeveria për postin e lënë të lirë nga Enkelejda Shehi. Ai kaloi dhe votimin në Komisionin e Ekonomisë. Kandidatura e Ervin Koçit do të votohet në Kuvend në seancat e ardhshme. Ish-deputeti i Qarkut Fier dha dorëheqjen më 24 mars. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve të Fierit, zoti Koçi linte të kuptohej se po dorëzonte mandatin e deputetit për të marrë një tjetër post të rëndësishëm: Ju informoj se tërhiqem nga të gjitha angazhimet e mia politike dhe do të aspiroj për të marrë përgjegjësi publike si një mundësi e re për të dhënë kontribut të mëtejshëm si dhe për të vazhduar zhvillimin profesional. Ish-kryetarja e AMF-së, Enkelejda Shehi u shkarkua nga detyra më 9 mars, pas rreth 5 vitesh në krye të institucionit. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor.

A.Shahini

Artikulli paraprakRaporti, të fundit për turizmin, na e kalojnë dhe vendet pa det
Artikulli tjetërSaviano: Droga e Shqipërisë një nga katër burimet e financimit të ISIS