Saviano: Droga e Shqipërisë një nga katër burimet e financimit të ISIS

Bomba e Roberto Savianos në “Euronews”: Shteti Islamik kultivon marijuanë në Shqipëri. Shkrimtari i famshëm italian që ka denoncuar dhe raportuar mbi mafian italiane, i cili jeton në fshehtësi dhe mbrojtje speciale për shkak të kërcënimit me vrasje nga ana e mafies, ka dhënë një intervistë për “Euronews” në lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Ndër të tjera ai ka pohuar:
Të gjitha gomonet që kalojnë Mesdheun menaxhohen nga kartelet, por jo nga kartelet italiane siç mendojnë të gjithë. Mafia nuk ka gisht në këtë trafik. Janë grupet turke, libiane dhe libaneze që kanë investuar në trafikimin e njerëzve dhe Evropa nuk ka as idenë më të vogël për këtë zhvillim.
Kartelet që menaxhuan mbërritjen e sirianëve në Evropë janë të gjitha pjesë e mafies turke, e cila është e njëjta mafie që menaxhon heroinën që vjen nga Afganistani.
Shteti Islamik (SHI), Kalifati, për shembull, ka tri burime kryesore fitimi, të gjitha nga aktivitete kriminale: shantazhi ndaj bizneseve, kontrabanda e naftës dhe kontrabanda e veprave të artit. Burimi i katërt është droga – katagoni që është një lloj metaamfetamine ose marijuana që SHI kultivon në Shqipëri. Ne kemi zgjedhur të mos thellohemi shumë në kuptimin e situatës dhe ta lexojmë atë në mënyrë sipërfaqësore si një përplasje qytetërimesh, kur në fakt kemi të bëjmë me një përplasje mes grupeve kriminale. Më parë ka pasur disa akuza të tilla edhe nga burime të tjera.

Kreu i Antimafias, Roberti: Po financohet radikalizmi

Prokurori i Antimafias italiane, Franco Roberti bëri të njëjtën deklaratë më 23 shkurt gjatë një vizite në Tiranë. Ai deklaroi se trafiku i drogës drejt Italisë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, ndërsa foli për rrezikun që një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet mund të shkojë për të financuar radikalizmin islamik. Këto komente ai i bëri në përfundim të një takimi që pati me kryeprokurorin shqiptar, Adriatik Llalla dhe disa prokurorë të tjerë shqiptarë.
I shoqëruar dhe nga prokurorët e Barit, Lecces dhe Catanzaros, kreu i Antimafias italiane, Franco Roberti tha se vizita e tij në Tiranë kishte të bënte me nevojën “për të kuptuar, së bashku me kolegët shqiptarë se çfarë ka çuar në shumëfishimin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si dhe të kuptonin se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë tona të përbashkëta dhe bashkëpunimin tonë”.
Sipas tij një ndër shkaqet ai ka përmendur rritjen e kërkesës nga Italia, si dhe fakti se duke qenë se për trafikantët, importimi është më i lehtë se kultivimi i kanabisit në Itali, Shqipëria rezulton rruga më e favorshme.
Duke iu referuar të dhënave që ai tha se i kishte marrë nga prokurorët shqiptarë të Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë së Vlorës, në dy vitet e fundit trafiku i substancave narkotike drejt Italisë është trefishuar.
Ai foli dhe për rrezikun e lidhjeve mes narkotrafikut dhe aktiviteteve terroriste: “Është më shumë se sa një hipotezë investigative. Ne jemi të bindur, siç dhe e verifikuam, se të paktën një pjesë e të ardhurave të paligjshme nga trafiqet e drogës, ka mundësi të financojnë aktivitetet e radikalizmit islamik, pra potencialisht, aktivitetet terroriste”, u shpreh prokurori italian.
Së bashku me kryeprokurorin Llalla ata folën për një forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit dy palësh, si për hetime të përbashkëta ashtu dhe për shkëmbimin e shpejtë të informacionit. Pala italiane ka emëruar dhe një prokuror ndërlidhës në Tiranë.
“Sot interesi i përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë është që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjithnjë e më shumë të ndërlidhur mes tyre. Për fat të keq, korrupsioni është një instrument i privilegjuar i krimit të organizuar, edhe për t’u infiltruar nëpër institucione, në administratën publike dhe në ekonominë e ligjshme”, deklaroi kreu i Antimafias italiane Roberti.
Për rreziqet që vijnë nga trafiku i drogës javë më parë foli dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschardt. Në një intervistë për emisionin “Tonight”, në “Ora News”, duke iu referuar përhapjes së fenomemit të kultivimit të marijuanës vitin e kaluar, ai foli për më shumë se 2 miliardë euro para të pista në qarkullim nga ky aktivitet, duke u shprehur se, “ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”.

Artikulli paraprakNë grahmat e fundit të pushtetit, Rama vijon kapjen e institucioneve
Artikulli tjetërCiko: Bizneset e Kosovës kundër nismës së Ramës për bashkëpunim doganor