Raporti, të fundit për turizmin, na e kalojnë dhe vendet pa det

Sektori i turizmit në Shqipëri vazhdon të jetë i pazhvilluar dhe në nivelet më të ulëta se në çdo vend tjetër në rajon (po të përjashtojmë këtu Bosnje-Hercegovinën, e cila ka vetëm një dalje të ngushtë në det që ia ka dhënë Kroacia për arsye doganore dhe ekonomike, pra nuk llogaritet aspak si vend që ka turizëm detar). Pra, Shqipëria ka lënë mbrapa në këtë renditje vetëm Bosnjën, e cila nuk ka fare turizëm detar. Shqipëria renditet e 98-a nga 136 vende të marra në studim në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për sa i përket indeksit të konkurrueshmërisë së turizmit. Megjithëse me një vijë të gjatë bregdetare dhe potencial për të zhvilluar turizmin, Shqipëria arrin t’ia kalojë vetëm Bosnje-Hercegovinës në rajon. Sipas treguesve në raportin e Forumit Ekonomik Botëror, Shqipëria është më pak konkurruese krahasuar me rajonin për sa u përket çmimeve, transportit ajror dhe burimeve natyrore dhe kulturore. Në dy kategoritë e fundit janë marrë në vlerësim numri i atraksioneve natyrore dhe kulturore të njohura si trashëgimi botërore, numri i specieve të njohura, zonat e mbrojtura, numri i stadiumeve dhe pallateve të sportit. Sipas të dhënave në raport, mbërritjet e turistëve ndërkombëtarë në Shqipëri përllogariten rreth 3.7 milionë, ku mesatarisht një turist shpenzon rreth 395 dollarë. Industria përbën 6% të PBB-së së vendit dhe në total janë të punësuar 51 mijë individë apo 5.5% të totalit të të punësuarve në vend. I renditur i pari nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi numëron 1.5 milionë turistë ndërkombëtarë, të cilët shpenzojnë mesatarisht 578 dollarë për turist. Në vendin fqinj, sektori i turizmit kontribuon në PBB-në e vendit me 11.3% dhe 10.3% e individëve janë të punësuar në turizëm.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërNë grahmat e fundit të pushtetit, Rama vijon kapjen e institucioneve