Në 6 muaj çon në Prokurori 178 raste për pastrim parash

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ka referuar në Prokurori të paktën 178 raste të dyshimta në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave është vendosur masë bllokimi për 31 prej tyre me një vlerë prej 3.8 milionë euro. Të paktën në 91% të rasteve të raportuara subjektet që kanë bërë raportimin janë ato që detyrohen me ligj të bëjnë këtë raportim duke nisur nga bankat, tek noterët, agjencitë e këmbimit të valutës, ato të transfertave të parave. Kjo sipas drejtorisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave tregon për rritje të efikasitetit në sistemin parandalues në vend. Shifra e këtij 6-mujori për shumën e bllokuar si e dyshimtë dhe si e ardhur nga aktivitete kriminale është dukshëm më e ulët sesa ajo e një viti më parë. Konkretisht në fund të 2016 DPPPP raportoi se ishin bllokuar 29 milionë euro si të ardhura të dyshuara nga aktivitetet kriminale. Në kuadër të kërkesës që vjen nga Task Forca Qendrore, për zbatimin e Planit Kombëtar të Luftës për Parandalimin e Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, DPPPP ka zbuluar edhe planin e saj të veprimit që konsiston në tri pika. Së pari, synohet rritja e kontrollit ndaj qarkullimit të parasë “cash”. Së dyti, rritja e kontrollit dhe cilësisë së analizës ndaj transaksioneve të dyshimta. Së treti, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe dërgimin në organet ligjzbatuese të një numri të lartë të rasteve të dyshuara për pastrim parash.

Artikulli paraprakMish pule nga Brazili ende në tregun shqiptar? Evropa vijon refuzimin masiv
Artikulli tjetërMilan, Montella: Ndaj Craiova vëmendje maksimale