Në 50 vendet e fundit në botë për klimën e investimeve

Është i treti vit radhazi, që sipas raportit të detajuar të Institutit për Sipërmarrjen dhe Zhvillimin (GEDI) Shqipëria humb terren, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me klimën e sipërmarrjes. Këtë vit, vendi ynë renditet i 83-ti në botë, nga 137 ekonomi të marra në studim, duke shënuar kështu një rënie prej 3 shkallësh krahasuar me raportin e vitit 2017 dhe 7 shkallë nga ai i 2016.
Sipas raportit, Shqipëria merr një pikësim prej 24% në studimin total të komponentëve të marrë në shqyrtim, i parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjë dhe Hercegovinën, e renditur e 95-a, me 21%. Më mirë në Ballkan ka performuar këtë vit Kroacia e 54, Mali i Zi i 60, Maqedonia e 66, Serbia e 74.
Sipas të dhënave të detajuara për vendin tonë, fusha më e fortë me të cilën krenohemi është “aftësitë e start-up”, e cila merr vlerësim prej 68%, ndërsa ajo që na dobëson në këtë studim, “pranimi i riskut”, 6%. Ndër të tjerë komponentë, përmendim perceptimi i mundësive, rrjeti, suporti kulturor, konkurrueshmëria dhe internacionaliteti që qendrojnë në të njëjtën nivel. Disi më mirë shihet, sipas raportit, adaptimi me teknologjinë, kapitali njerëzor, ecuria e rritjes dhe inovacioni i produkteve.
Raporti i GEDI-t nënvizon se, sipërmarrja është një motor i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë. Pa të nuk do të kishte inovacion, produktiviteti do të rritej me ritme të ulëta dhe vendet e punës gjithashtu do të ishin të pakta.
Sipërmarrja ekziston në kontekstin e veçantive gjeografike, lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzierja e sjelljeve, burimeve dhe infrastrukturës, citon raporti, përbën atë që njihet si ‘ekosistemi’.
Indeksi Botëror i Sipërmarrjes mat çdo vit shëndetin e këtij ekosistemi në 137 vende. Krahason performancat e vendeve, si dhe ofron një panoramë sesi një vend performon në kontekstin lokal dhe në atë ndërkombëtar. GEDI mbledh të dhëna mbi qëndrimet e sipërmarrjes, aftësitë dhe aspiratat e popullsisë lokale dhe pastaj mat peshën që ato kanë në mjedisin e “infrastrukturës” sociale dhe ekonomike. Ky proces krijon 14 ‘shtyllat’ mbi të cilat matet shëndeti rajonal i ekosistemit.

Artikulli paraprakParalajmërimi i Kombeve të Bashkuara për pesticidet
Artikulli tjetërShqipëria me pagën më të ulët mesatare në Europë