Ndikimi politik, korrupsioni dhe taksat e larta nxisin informalitetin

Korrupsioni dhe ndikimi politik, kapacitetet e dobëta të administratës tatimore dhe doganore dhe niveli i lartë i taksave janë tre faktorët kryesorë që, sipas bizneseve, kanë nxitur ekonominë informale në vendin tonë. Perceptimi i biznesit në lidhje me shkaqet që krijojnë qasje në informalitet është dhënë në një anketim që ka bërë Këshilli i Investimeve. 43% e bizneseve të anketuara kanë thënë se ndikimi politik dhe korrupsioni e krijojnë formalitetin, ndërsa 39% e tyre janë përgjigjur se evazioni është nxitur nga mungesa e kapaciteteve në administratën tatimore dhe atë doganore. Një pjesë tjetër e madhe e bizneseve prej 26% mendojnë se evazioni është rezultat i taksave të larta. Më tej, bizneset mendojnë se faktorë të tillë si cilësia e dobët e legjislacionit, konkurrenca e pandershme dhe fragmentizimi i sistemit tatimor janë nxitës të informalitetit. Siç shihet nga rezultatet e anketimit, sistemi tatimor përbën një nga shtyllat kryesore që lehtëson ose vështirëson formalizimin e ekonomisë, por edhe bën ose jo më atraktive klimën e biznesit. Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore. Administrimi i taksave shprehet si problematike edhe në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare për klimën e biznesit në Shqipëri në këto vitet e fundit, por njëkohësisht është një shqetësim i hapur i biznesit nga takimet direkte dhe përgjigjet e ardhura nëpërmjet anketës online. Komente të shumëllojshme në përgjithësi negative mbi kapacitetet e administratës, interpretimin e legjislacionit, kontrollet e shpeshta tatimore janë nënvizuar në vazhdimësi nga biznesi. Konkretisht janë evidentuar TVSH, paqartësia dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit tatimor, sipas Këshillit të Investimeve.

Artikulli paraprakVeliaj nuk njeh 28 Nëntorin për të festuar netët e “bardha”
Artikulli tjetërSi biznesi 360 milionë euro i lojërave të fatit ka kapur Ramën