Basha-OSBE: Vdekje klinike e zgjedhjeve më 25 qershor

Kryetari i Partisë Demokratike, priti dje delegacionin e drejtuesve të lartë të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, kryesuar nga ambasadori Peter Teljer dhe e njohu atë me problemet e mëdha të zgjedhjeve dhe me faktin se procesi i 25 qershorit jo vetëm nuk e shëroi plagën e zgjedhjeve, por përkundrazi e thelloi dhe ekspozoi më shumë atë.
Basha theksoi se problemi i blerjes masive të votave u shtri në të gjithë vendin me përmasa masive dhe organizim sistematik në zona urbane dhe rurale,  shoqëruar nga mbledhja e kartave të identitetit. Përveç angazhimit në shitblerje votash të strukturave partiake të PS dhe partive të tjera qeveritare u aktivizuan po ashtu bandat kriminale që vepronin pa asnjë pengesë dhe në disa raste me ndihmën e strukturave shtetërore, si dhe vetë strukturat shtetërore.
Në ndihmë të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u përdor edhe shumëfishimi i  listës së përfituesve të ndihmës ekonomike në këmbim të votës, punësimet masive në administratë dhe ente publike etj. Një rol të veçantë në shtrirjen masive të shitblerjes së votave ka luajtur paraja e përfituar nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga bandat kriminale me lidhje dhe mbështetje qeveritare, vuri në pah z. Basha.
Basha i cilësoi zgjedhjet e 25 qershorit një triumf të paligjshmërisë.
“Vetëm Partia Demokratike konkurroi me një program dhe nuk u përlye në shitblerje votash dhe angazhim bandash kriminale”, vuri në dukje Basha.
Z. Spaho dhe z. Bylykbashi të pranishëm në takim sollën shembuj konkretë të konstatimit dhe të hapave ligjorë që kishin ndërmarrë në Elbasan dhe në Durrës në rastet e kapura të blerjes së votës, hapa që nuk sollën asnjë rezultat, pasi në rastin e parë policia nuk ndërmori asnjë veprim dhe në rastin e dytë, banditët e detyruan të tërhiqej qytetarin që ishte gati të dëshmonte.
Këto nuk ishin zgjedhje demokratike, tha Lulzim Basha, por prova e fundit e vdekjes klinike të zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Basha theksoi se një qëndrim realist mbi problemet e rënda në këtë proces, në veçanti nga ana e OSBE-ODIHR, do të ndihmonte Shqipërinë dhe shqiptarët për të dalë nga ky stad i avancuar i zëvendësimit të demokracisë me një regjim që për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve, mbështetet tek krimi, droga dhe korrupsioni galopant.

OSBE: Shitblerja e votave minoi zgjedhjet

Misioni i OSBE/ODIHR njeh fenomenin e blerjes së votës si problemin që minoi zgjedhjet e 25 qershorit. Para, kërcënime dhe votime për të tjerë, janë këto shqetësimet që ngre Misioni i OSBE në lidhje me monitorimin e vëzhguesve të tyre në zgjedhjet e 25 qershorit.
Në ndryshim me deklaratat e ambasadës amerikane dhe zyrtarëve të BE-së, deklarata e përfundimeve paraprake të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE-ODIHR në Shqipëri është shumë më kritike për procesin zgjedhor të 25 qershorit.
Raporti i Misionit nxjerr në pah probleme në administrimin e zgjedhjeve, si dhe probleme në zbatimin e ligjit. Disa prej problemeve kryesore sipas misionit janë: “politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet”, “akuzat për blerje votash” dhe “presioni ndaj zgjedhësve”. Raporti paraprak i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e së dielës, publikuar së fundmi, flet për presion mbi votuesit e punësuar në shtet dhe privat, votim për persona të tjerë dhe firma të ngjashme në 5% të vrojtimeve.
Raporti thekson faktin se gjatë fushatës pati “akuza të gjithpërhapura dhe të ndërsjella për blerje votash, shqetësime mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe presion në vendin e punës mbi votuesit, rrethana që minuan besimin publik te procesi zgjedhor”. Në lidhje me blerjen e votave, raporti vëren se një aktivist i të drejtave të njeriut se, militantët e PDIU në Fier po kontaktonin votuesit mes komunitetit rom derë më derë duke i ofruar 10 mijë lekë në shkëmbim të kartave të identitetit, karta që do t’i ktheheshin në afërsi të qendrës së votimit atyre votuesve që premtonin të tregonin një foto të votës së vet. “Në katër për qind të qendrave të votimit të vrojtuara kishte tension dhe kryengritje. Grupet e militantëve partiakë në afërsi të qendrave të votimit u vërejtën, të cilët shpesh u shfaqën duke i instruktuar votuesit se për kë duhet të votonin”, thuhet në raport.

Vota u cenua, standardet u shkelën

Vëzhguesit e OSBE vërejtën shumë raste kur militantët partiakë mbanin shënim se kush votoi duke regjistruar numrat e tyre siç qenë shënuar në listën e votuesve. Ky proces u ndihmua nga komisionerët, të cilët lexonin me zë të lartë numrin e identifikimit të votuesit, thuhet në raport. Regjistrimi i votuesve në ditën e votimit nga makineritë partiake të menaxhimit të zgjedhjeve shërben për të mbajtur bilanc se kush ka votuar e kush jo dhe për të kryer telefonata lutjeje, të cilat në shumë raste mund të kthehen në presion mbi votuesit e pavendosur. Raporti përmend gjithashtu akuzat se, “bashkëshortja e një kandidati të LSI në Gjirokastër përdori fondet për subvencionimet e bujqësisë për të tërhequr vota”, si dhe faktin se kryeministri Edi Rama bëri thirrje gjatë fushatës që policët të bënin aktivitet politik për partinë e tij, pavarësisht se kërkoi falje më vonë. Raporti vëren gjithashtu se një përfaqësues partiak i kishte thënë vëzhguesve se kryebashkiaku i Fierit i ka bërë thirrje kompanive publike e private të pushonin nga puna simpatizantët e Partisë Demokratike. Në Delvinë, nënvijëzon raporti, Partia Socialiste ushtroi presion mbi punonjësit publikë të merrnin pjesë në fushatë, si dhe mbajtën shënim emrat e pjesëmarrësve. “Ekziston një shqetësim se në kushtet e institucioneve të politizuara zgjedhjet elektorale të punonjësve të sektorit publik, një segment i shoqërisë vulnerabël ndaj presioneve, mund të ketë pasoja për kushtet e jetesës, si dhe për të ardhmen e punësimit”, vëren raporti. Shqipëria ka aktualisht mbi 166 mijë të punësuar në sektorin publik, të punësuar që shpesh punësohen dhe shkarkohen nga puna për bindje politike apo që janë vazhdimisht nën presion për të votuar partinë që i siguron vendin e punës. Raporti vlerëson gjithashtu negativisht procesin e numërimit të votave duke vërejtur se numëruesit, të cilët duhet të vendosin votën para një kamere për ta paraqitur në një ekran të madh, nuk e bënë ose nuk e lanë në mënyrë të mjaftueshme sa ajo të lexohej nga kamera, duke e ulur transparencën e procesit të numërimit.

Votuesit u kërcënuan, vota humbi fshehtësinë e saj

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR renditi një numër të lartë parregullsish dhe shkeljesh të standardeve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit, me akuza që rëndojnë mbi të gjitha palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, si dhe me kritika për median dhe për transmetimin e materialeve të prodhuara nga partinë politike dhe të servirura si “lajme” të pavarura. Raporti, i publikuar së fundmi në faqen e internetit të OSBE, vëren se në të paktën 5 për qind të vrojtimeve të saj rastisi votim për persona të tjerë dhe moskontroll të rregullt të lyerjes së gishtit apo moslyerje të gishtit, si dhe faktin se rreth 5 për qind e firmave të hedhura në listat me emrat e votuesve dukej se qenë hedhur nga e njëjta dorë. Sekreti i votës u raportua si me probleme në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi, ku mjediset janë të vogla dhe prania e vëzhguesve partiakë, shpesh të paautorizuar qe shumë e lartë dhe shumë pranë kutive të votimit duke ekspozuar zgjedhjen e votuesve. Prania e lartë e militantëve partiakë pranë qendrave të votimit, si dhe mundësia e ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit nga këto militantë qe një shqetësim tjetër, siç qe edhe keqpërdorimi i burimeve të sektorit publik. Raporti vëren se zbatimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të miratuar së fundmi, duket se kishte për synim interesin partiak më shumë se sa zbatimin e paanshëm të ligjit dhe sundimin e ligjit. Ndryshe nga Bordi i Monitorimit të Medias pranë KQZ-së, i cili monitoron vetëm sasinë e mbulimit të partive politike në televizione gjatë fushatës, OSBE monitoron gjatë fushatës disa televizione, gazeta e portale si sa i përket sasisë ashtu edhe sa i përket tonalitetit të mbulimit. Sipas raportit, media qe e larmishme në Shqipëri gjatë fushatës, por problemi kryesor lidhet me faktin që media ofroi transmetim të aktiviteteve elektorale pa kryer analiza kritike mbi përmbajtjen e programeve elektorale. Shkelja kryesore e vërejtur lidhet me paragrafin 9.1 të Dokumentit të Kopenhagës, ku sanksionohet se media duhet të ketë pavarësi editoriale mbi materialet e publikuara. Por nuk qe kjo që ndodhi në Shqipëri gjatë fushatës. Në shumë raste, media u detyrua me hir ose me pahir që të transmetonte materiale të parapërgatitura nga zyrat e propagandës së partive politike apo politikanëve të ndryshëm, si dhe të fuste në transmetim pamje nga mitingje elektorale të xhiruara nga regjitë e partive. Në total zgjedhjet e 25 qershorit u monitoruan nga 541 vëzhgues të huaj dhe 3,731 vëzhgues vendës. Ky është raporti paraprak i zgjedhjeve i OSBE/ODIHR. Raporti final pritet të publikohet disa javë më vonë. OSBE/ODIHR ka monitoruar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Raportet e saj kanë renditur një numër të lartë rekomandimesh, të cilat Shqipëria nuk i ka zbatuar në zgjedhjet parlamentare të viteve 2009 e 2013, si dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor të viteve 2011 dhe 2015. Raportet e OSBE/ODIHR i gjykojnë zgjedhjet në bazë të Dokumentit të Kopenhagës, i cili ka përcaktuar standardet që duhet të plotësojnë zgjedhjet dhe që përbën ato që zakonisht kuptohen me termin “standardet ndërkombëtare”.

Artikulli paraprakRezoluta e fshehtë e Ramës, plehrat që do hyjnë në Shqipëri janë të rrezikshme
Artikulli tjetërNBG do të shesë degët e saj në Ballkan