Narkotrafiku, rreziku kryesor që i kanoset Shqipërisë

Rudina Hajdari

Në një artikull të para pak ditëve, Pëllumb Nako, ish-drejtor i Kufirit në Policinë e Shtetit, e cilësonte të çuditshëm faktin që misioni i Guardia di Finanza është ende në Shqipëri prej 20 vitesh, ndërkohë që financimet e dhëna deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë mëse të mjaftueshme për të kontrolluar kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Janë të paktën 70 milionë dollarë mbështetje prej tyre për institucionet e luftës kundër drogës dhe trafiqeve për të fuqizuar aftësinë e tyre, pa patur nevojë për mbështetjen e forcave italiane.
Përgjigjja është e thjeshtë. Guardia di Finanza vazhdon të mbetet në Shqipëri sepse institucionet tona të luftës kundër trafiqeve mbeten të korruptuara. Është pikërisht ky korrupsion shkaku kryesor që droga është sot një nga realitetet më të dukshme dhe me ndikimin më të madh ekonomik, shoqëror dhe politik.
Vrojtimi Shkollor europian mbi Alkoolin dhe Drogat (ESPAD), realizuar nga Qendra e BE-së për Monitorimin e Drogës dhe Varësisë ndaj Drogës, zbuloi se konsumi i drogës mes studentëve shqiptarë është i ulët në krahasim me konsumin mes studentëve nga 35 vende të tjera europiane të vrojtuara. Në vitin 2015, vetëm 7 për qind e studentëve shqiptarë përdornin kanabis- mbi dy herë më pak se mesatarja (prej 16 për qind) e konsumit mes studentëve europianë të vrojtuar. Kurse përdorimi i drogave të tjera të paligjshme mes studentëve shqiptarë ishte në pothuajse të njëjtin nivel sa ai i mesatares europiane- 5 për qind e të rinjve janë përdorues të kokainës dhe 4 për qind janë përdorues të MDMA-së (e njohur si ekstazi).
Analiza afatgjatë tregon një prirje rritëse të përdorimit të drogës mes studentëve shqiptarë: nga viti 2011 në vitin 2015 përdorimi i kanabisit është rritur nga 4 për qind në 7 për qind. Kjo ecuri pritet të vazhdojë në rritje, çka do ta bëjë konsumin e drogës një problem të madh shoqëror në vend, veçanërisht mes moshave të reja.
Përtej shqetësimit të rritjes së konsumit të kanabisit në vend, studimi tregon se problemi kryesor në lidhje me drogën në Shqipëri mbetet trafikimi i drogës, sidomos kanabisit dhe të ardhurat e jashtëzakonshme që droga prodhon për krimin e organizuar. Këto dy dukuri përbëjnë një rrezik akoma më të madh për sigurinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Europoli dhe Departamenti i Shtetit kanë konfirmuar se Shqipëria është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i kanabisit në BE, si dhe rrugë e rëndësishme e kalimit të heroinës dhe kokainës për në BE. Në raportin mbi Barnat në Europë, Trendet dhe Zhvillimet 2017, Qendra europiane e Monitorimit të Drogës konfirmonte gjithashtu se Shqipëria është tashmë nyje kyçe e rrjetit të kultivimit të kanabisit së bashku me Marokun dhe Libinë.
Shtrirja e madhe në territor dhe rrugët e lehta të trafikimit e kanë kthyer kultivimin dhe trafikimin e drogës në një aktivitet jashtëzakonisht fitimprurës për krimin vendas dhe ndërkombëtar. Për më tepër, në ndryshim nga vende të tjera, ky aktivitet kriminal mbart pak rreziqe dhe humbje në Shqipëri, për shkak të mungesës së luftës ndaj drogës.
Vetëm nga një vlerësim sipërfaqësor i raportimeve në mediave, në periudhën janar-korrik 2017 janë kapur mbi 500 tonë kanabis të prodhuar në Shqipëri. Një sasi edhe më e madhe se kaq pretendohet se është asgjësuar nga policia shqiptare si bimë e mbjellë.
Çmimet e tregut të lëndëve narkotike sot janë: kanabisi me shumicë: 300 euro/kg; heroina me shumicë: 20 000 euro/kg; kokaina me shumicë: 40 000 euro/kg.
Mbi 1 mijë tonë kanabis të sekuestruara dhe asgjësuara vlerësohen se do të kishin prodhuar mbi 300 milionë euro të ardhura. Nëse arsyetojmë mbi përqindjen mesatare europiane të kapjen së marijuanës së trafikuar- rreth 10 për qind të sasisë totale të trafikuar -atëherë mund të thuhet se marijuana e kultivuar dhe trafikuar në Shqipëri prodhon 3-4 miliardë euro të ardhura çdo vit, gati sa gjysma e gjithë prodhimit ekonomik të vendit. Një burim kaq i madh të ardhurash është e natyrshme që do të tërhiqte organizatat kriminele ndërkombëtare dhe interesat terroriste që kërkojnë vazhdimisht burime financimi.
Sikurse përmenda më sipër, një faktor i rëndësishëm i lulëzimit të drogës në Shqipëri dhe tërheqjes së krimit të organizuar ndërkombëtar në këtë biznes është dështimi i policisë dhe institucioneve shqiptare në luftën kundër drogës. Para dy muajsh, ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe prej disa javësh vetë Kryeministri Edi Rama kanë pranuar përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikun e drogës. Altin Qato, drejtori i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit pohoi për “Deutsche Welle” në muajin shkurt se, “ka pasur raste të izoluara të përfshirjes së policisë”, por pohoi se nga mbi 9 mijë forca policore, vetëm 40 janë identifikuar si ndihmës në kultivimin dhe trafikimin e drogës në vitin 2016, edhe vetëm 8 policë janë arrestuar. A nuk është shqetësuese fakti se shumë pak punonjës të strukturave antidrogë janë ndjekur penalisht për shpërdorim detyre ndër këto vitet e fundit?
Nga ana tjetër, niveli i zbulimit dhe goditjes së organizatave dhe invidivëve të përfshirë në trafikun e drogës është i ulët. Sipas raportit të EMCDAA në vitin 2015 Policia e Shtetit raportoi në Prokurori rreth 1 118 vepra penale të lidhura me drogën, të cilat përbëjnë vetëm rreth 3 për qind të të gjitha shkeljeve të regjistruara në vend gjatë këtij viti.
Për më tepër, raporti zbulon se nga këto 1 118 vepra penale mbi 93 për qind e tyre ishin të lidhura me kultivimin e kanabisit dhe shitjen në rrugë të drogës dhe vetëm 6 për qind ishin vepra të lidhura me trafikimin e drogës.
Është fakt tashmë se ndikimi qeveritar nuk ndihet askund për të zgjidhur këtë gjendje, e cila po rrezikon jo vetëm ekuilibrat socio-ekonomik, demokracinë dhe sigurinë kombëtare, por po kthehet në një rrezik edhe për sigurinë e vendeve europiane- Adriatiku dhe Joni janë kthyer në autostrada detare ku vërshojnë gomone të ngarkuara me tonelata kanabis, ndërsa Italia është shndërruar në portën hyrëse në BE të kanabisit nga Shqipëria.
Avionët me drogë qeveria i quajti mushkonja, ndërsa mbjelljen e kanabisit e konsideroi si një aktivitet gati-gati normal bujqësor – të gjithë kujtojnë si Kryeministri Rama u drejtohej me batuta fermerëve duke i pyetur si po ju shkonte kultivimi i kanabisit.
Këto orvatje për ta ambalazhuar me qesëndi kanabizimin e Shqipërisë dhe implikimi i zyrtarëve të lartë në narkotrafik tregojnë se jemi përballë një kompromisi, një omertaje mes qeverisë dhe narkotrafikut.
Propaganda qeveritare synon t’ua shesë shqiptarëve çështjen e kanabizimit si një ekonomi alternative, si domosdoshmëri për mbijetesë shtetërore. Në fakt është thjesht për mbijetesë qeveritare, një ekonomi e re për oreksin e tyre, një koncesion gjigant ku e tërë Shqipëria është shitur për serrë.
Së fundmi, mediat kanë publikuar pjesë nga përgjimet e një grupi trafikantësh, që transportin drogë me avion drejt Italisë. Në bisedat me njëri-tjetrin, trafikantët shprehen se kanë korruptuar me 50 mijë euro “një njeri të madh në Tiranë”.
Zinxhirin korruptiv që ndjek narkotrafiku fillon nga roja e kufirit deri në majat e nomenklaturës qeverisëse. Një roje bregdetare paguhet maksimumi 600 euro në muaj. Nëse atij i ofrohet 10 000 euro për të siguruar që 5 kg kokainë të arrijnë ose të kalojnë në Durrës, trafikanti i drogës arrin kështu të nxjerrë 190 000 euro. Nëse arrin të “bindësh” 5 roje bregdetare, atëherë shifra rritet lehtë në 950 000 euro kokainë me 50 000 euro në ryshfet për rojet bregdetare apo policët, etj.
Por si mbulohet kjo? Rojet bregdetare apo policët e tjerë që merren me këto operacione kanë një qendër që i kontrollon dhe kështu trafikantët e drogës vënë në kurth 5 djem të rinj, mundësisht të varfër nga zonat rurale dhe u japin atyre 10 kg kanabis – vlera e tregut 3 000 euro për person që arrijnë në 15 000 euro për 5 veta. Trafikanti i tregon rojes bregdetare ose policëve antidrogë se ku ndodhet ky kanabis dhe ata shkojnë dhe i godasin. Pra, si diversion, goditen 5 djem të rinj për kontrabandën e kanabisit dhe mbulohet pjesa tjetër. Burgjet e Shqipërisë janë mbushur me djem të rinj, ndërsa në kronikat e lajmeve dëgjojmë se kapen tonelata me kanabis, por mungon pjesa e arrestimit të “baronit” të drogës. Kësisoj, “baroni” është i paprekshëm sepse ka bashkëpunëtorë e tij në politikë.
Në Shqipëri, falë dekriminalizimit të nisur dhe bërë realitet ligjor nga opozita, u demaskuan shumë zyrtarë të lartë, përfshirë deputetë të mazhorancës si të lidhur me krimin organizuar dhe trafikun e drogës. Ligji i dekriminalizimit ka përjashtuar disa prej tyre. Por ç’do të ndodhë më tej, a do të zbatohet ky ligj?
Gjatë dy viteve të fundit, krimi i organizuar e ka transformuar Shqipërinë në hambarin e Europës për kultivimin e kanabisit dhe një nga pikat kyçe të trafikimit të heroinës dhe kokainës në Europën Perëndimore. Miliona euro të gjeneruara nga trafiku i drogës u përdorën për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve të 25 qershorit.
Opozita hodhi hapat e para me ligjin e dekriminalizimit dhe këto 4 vite, Partia Demokratike do të nisë një betejë edhe më të madhe për të pastruar vendin nga krimi e droga që po cenojnë të ardhmen e vendit tonë. Siç e treguan zgjedhjet e 25 qershorit, narkotrafiku tashmë po shndërrohet në një sistem qeverisës. Të qenit në opozitë nuk na pengon që t’u shërbejmë shqiptarëve dhe të ofrojmë zgjidhje, përkundrazi e bën betejën tonë më të sinqertë e të ndershme përballë një qeverisjeje në “overdozë” nga narkotrafiku.

Artikulli paraprakKriza politike në Kosovë, dështon takimi konsultativ
Artikulli tjetërNdotje masive e lumenjve në Shqipëri