Mziu takim me kryetarin e Komunës Castenaso, firmos marrëveshjen me kompaninë “Balcan Investment”

Takimi i kryebashkiakut të Kamzës me kreun e Komunës Kastenazo (Castenaso) të Italisë, Stefano Sermenghi vjen në kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet dy njësive vendore dhe binjakëzimit mes tyre. Marrëveshja me kompaninë “Balcan Investment” për zhvillimin ekonomik vendor

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, gjatë javës që lamë pas ka pasur një takim kryetarin e Komunës Kastenazo (Castenaso) të Italisë, z. Stefano Sermenghi si dhe ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi dje me kompaninë “Balcan Investment” për zhvillimin ekonomik vendor.
Takimi me kryetarin e Komunës Kastenazo (Castenaso) të Italisë, z. Stefano Sermenghi vjen në kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet dy njësive vendore dhe binjakëzimit mes tyre. Pasi i uroi mirëseardhjen mikut nga Italia, z. Mziu u shpreh se këtë bashkëpunim e sheh jo thjesht në kuadrin e binjakëzimit, por edhe në kuadrin e përfitimeve të ndërsjella në shumë fusha, veçanërisht në përfitimin e fondeve dhe projekteve të Komisionit Evropian dhe të Bashkimit Evropian. Kryebashkiaku Xhelal Mziu në këtë bashkëpunim të ri të Bashkisë Kamëz me Komunën Castenaso, Itali, sheh tri gjëra kryesore: shkëmbimi i përvojave, nxitja e bizneseve për shtrirjen e aktivitetit të tyre në Kamëz duke pasur infrastrukturën e nevojshme dhe, së treti, shfrytëzimi i partneritetit për të përfituar nga fondet e BE-së.
Në këtë aspekt, z. Mziu bëri të ditur se Kamza ka përfituar nga binjakëzimet me qytete si Macerata dhe disa qytete të tjera evropiane, si në financim projektesh, ashtu edhe bashkëpunime në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Një prej arritjeve të rëndësishme të Bashkisë ka qenë organizimi në Kamëz i konferencës ndërkombëtare në kuadrin e projektit “JOGGLE”, ku morën pjesë bashki nga pesë shtete evropiane. Kryebashkiaku Mziu bëri një përshkrim të qytetit, që nga pozicioni i favorshëm gjeografik, zhvillimi i Kamzës në vitet e fundit etj. Kreu i Bashkisë theksoi progresin e bërë në këto vite, edhe pse është qyteti më i ri në vend, pa harruar të përmendë se Bashkia Kamëz është bërë një partner i rëndësishëm për biznesin, sidomos atë italian.
Gjatë bisedës, z. Mziu u shpreh se ndër avantazhet e qytetit të Kamzës është fuqia punëtore dhe mosha e re e popullsisë, e cila është katër vite më e re se në gjithë Shqipërinë. Duke iu rikthyer partneritetit me biznesin, kryebashkiaku Mziu e njohu homologun italian me politikat fiskale lehtësuese që ka zbatuar dhe zbaton Bashkia e Kamzës. Pasi falënderoi kryebashkiakun Mziu për mikpritjen e rezervuar, kryetari i Komunës Castenaso, z. Stefano Sermenghi, shprehu bindjen për bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy njësive vendore.
Ai bëri me dije se Komuna Castenaso është e binjakëzuar me një prej bashkive të Kretës dhe madje mund të organizohet një vizitë e përbashkët në Kretë gjatë muajit tetor, duke shpresuar kështu edhe në një zgjerim të mundshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Bashkia Kamëz, Shqipëri, dhe Komuna Castenaso, Bologna, Itali, ka më shumë se një vit që kanë vendosur lidhje të ngushta mes tyre, në kuadrin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave, për të arritur në nivele bashkëkohore partneriteti, për të ndërmarrë projekte në mbështetje të zhvillimit të Kamzës, në fushën teknike, kulturore, mjedisore, të biznesit etj. Për këtë qëllim janë shkëmbyer korrespondencat dhe programet afatgjata bashkëpunuese nga drejtoritë përkatëse të dy njësive të pushteteve vendore. Ndërkaq, nga palët po ndiqet plotësimi i procedurave zyrtare, një nga të cilat është vendimi i këshillave bashkiakë, që japin miratimin për lidhjen e marrëveshjes së binjakëzimit. Lidhja e kësaj marrëveshjeje do të kontribuojë jo vetëm për bashkëpunimin e institucioneve dhe komuniteteve të të dyja qyteteve, por edhe arritjes së standardeve në nivele të pushteteve vendore në proceset e integrimit evropian e më gjerë.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë “Balcan Investment” për zhvillimin ekonomik vendor. Marrëveshja ka për qëllim të kontribuojë në nxitjen dhe përmirësimin e zhvillimit ekonomik, nëpërmjet tërheqjes së investimeve të huaja; të realizojë krijimin e partneritetit vendas dhe të huaj, me qëllim mbështetjen e biznesit; të mbështesë ngritjen e kompanive të reja me kapital miks; të ofrojë asistencë teknike, shërbime të konsulencës për bizneset. Marrëveshja gjithashtu synon të krijojë bashkëpunim, me qëllim ofrimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor dhe identifikimin e mundësive të reja për zhvillimin e biznesit. Kryebashkiaku Mziu nënshkroi marrëveshjen për Bashkinë Kamëz, ndërsa për kompaninë “Balcan Investment” nënshkroi drejtori i Marrëdhënieve me Institucionet në këtë kompani, z. Ylli Pashuku.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërKosovë, MF-ja dhe KfW-ja dakordohen për realizimin e projekteve të përbashkëta