Mustafaj: Zgjedhjet pa PD ripërsëriten brenda vitit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, ka komentuar situatën politike dhe dy takimet mes Ramës dhe Bashës në Presidencë për zgjidhjen e ngërçit politik. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News 24’, Besnik Mustafaj tha se, dështimi i negociatave është një lajm i keq për shqiptaret, por jo surprizë. “Dështimin e cilësoj si një lajm të keq për Shqipërinë, por jo surprizë. Besoj se shqiptarët ishin përgatitur të mos merrnin asnjë lajm të mirë. Të dyja konferencat sot nuk i kuptoj, më thanë se kryeministri e ka cilësuar si konferencë të jashtëzakonshme, por nuk e di. Starti i kësaj proteste ka qenë i ekzagjeruar dhe i vështirë. Qeveria teknike ka qenë deklarata e parë dhe e fundit nga Basha dhe oferta e Ramës nuk duhej pranuar. A përcaktoi Basha objektiv të parealizueshëm këtë nuk mund ta di”, tha Mustafaj.  Ish-ministri ka komentuar edhe zgjedhjet e 18 qershorit dhe protestën e opozitës në Kavajë, për të cilën tha se do të jetë paqësore. “Në Kavajë do të jetë një protestë paqësore dhe jam i prirur të besoj se nuk do të ketë trazira. Opozita kur deklaron të mos ketë zgjedhje, niset nga parimi i demokracisë. Në 18 qershor nuk ka zgjedhje, por votime. Zgjedhje do të thotë të kesh alternativa. Dhe në votime prodhohet një parlament, ku zgjedhjet caktohet legjitime. Nuk mendoj se do të ketë revolucion. PD nuk është e kësaj natyre”, tha Mustafaj. Sa i përket qëndrimit të ambasadorëve se zgjedhjet do të jenë legjitime edhe pa pjesëmarrjen e PD-së, Besnik Mustafaj, i cilësoi si të parakohshme.  “Ambasadorët nuk numërojnë partitë, por shohin kuadrin ligjor. Për mua deklaratat se zgjedhjet do jenë legjitime dhe pa PD janë të parakohshme, sepse kjo ndikon edhe tek Rama, i cili mund të abuzojë me negociatat dhe procesin. Rama nuk duhet të motivohet”, tha Besnik Mustafaj. Ish-deputeti i PD dhe ish-ministri, Mustafaj u pyet edhe për planin për mosbindje civile si dhe pjesëmarrjen ose jo do të ketë zgjedhjet e 18 qershorit. Ai tha se, nëse zgjedhjet bëhen pa PD do të ketë sërish ripërsëritje të tyre brenda vitit. “Termi mosbindje civile është shpikur nga indianët në rezistencën e tyre ndaj britanikëve. Për rastin e Kavajës nuk shkon mosbindja civile. Se çfarë presupozon përshkallëzimi, unë mendoj se ka të bëjë me përmasat përtej çadrës. Unë nuk jam pjesë e strukturave. Revolucioni që përdoret nga PD është term metaforik. Unë uroj të mos ketë përplasje dhe është e parëndësishëm rëndësia që i jepet Kavajës. Nuk më duket e drejtë që Kavaja të konsiderohet si prova gjenerale e asaj që do të ndodhë në 18 qershor, pasi është thikë me dy presa. Nëse ka qeveri teknike mendoj se mund të arrihet një marrëveshje. Kriza e vërtetë nis pas 18 qershorit, pasi e gjithë e djathta është jashtë Parlamentit. Është problem se çfarë do të bëjë opozita në vjeshtën që vjen. Disa institucione janë. Unë mendoj se pa opozitën do të kemi zgjedhje të tjera, të cilat do të ripërsëriten brenda vitit”, tha Mustafaj.

Artikulli paraprakGoditja e call center, mijëra vende pune drejt mbylljes
Artikulli tjetërDW: Tezat për bashkim nuk e shpëtojnë Ramën