DW: Tezat për bashkim nuk e shpëtojnë Ramën

Nga Darko Janjeviç

Nacionalistët nga shumë vende ballkanike i kanë akuzuar prej kohësh liderët shqiptarë se po komplotojnë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke aneksuar territore nga fqinjët. Politikanët shqiptarë gjithmonë e kanë hedhur poshtë idenë si një alarm fals për të ngjallur frikë.
Megjithatë, me influencën e BE në zbehje në Ballkan dhe me konfliktet e vjetra që po dalin sërish në sipërfaqe, liderët rajonalë u janë kthyer edhe njëherë miteve nacionaliste për të fituar vota. Në një intervistë me “Politico” më pak se dy javë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se, nuk mund ta përjashtonte një “bashkim të vogël” të Shqipërisë me Kosovën nëse BE vendoste ta hiqte nga tryeza anëtarësinë.
Të nesërmen, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se “të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një vend të vetëm, të bashkuar”, nëse BE ua mbyll dyert. Kjo ishte mënyra për të vazhduar “integrimin në familjen evropiane”, sipas Thaçit.
Megjithatë, ditët e fundit ai hodhi poshtë akuzat për nxitje të Shqipërisë së Madhe dhe akuzoi BE për naivitet, duke rënë në kurthin e propagandës serbe.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Jonuz Musliu, e rriti dozën duke thënë se edhe qytetet serbe të populluar nga shqiptarët duhet të bashkohen me Kosovën e Shqipërinë.
“Serbia duhet të jetë mirënjohëse që shqiptarët nuk po kërkojnë më tepër territore”, tha ai.
Edhe ish-komandanti rebel Ramush Haradinaj, i kthyer në shtëpi nga Franca ku u mbajt për shkak të një urdhër-arresti serb, foli për “t’i treguar vendin Serbisë”.

Nga ëndrra në makth

Beogradi u përgjigj i alarmuar. Media e dominuar nga qeveria dënoi politikanët shqiptarë, duke rikthyer edhe njëherë kujtimet e luftës së Kosovës që përfundoi 18 vjet më parë. Kryeministri Aleksandar Vuçiç, dikur një ultra-nacionalist tashmë i shndërruar në pro-evropian, bëri thirrje për qetësi, por edhe tha se atë “do ta kishin varur në shtizë në vend të flamurit”, në Bruksel sikur ai të kishte bërë një deklaratë të ngjashme për bashkimin e të gjithë serbëve. Shumë serbë jetojnë ende në ish-republikat jugosllave dhe kanë nën komandë komunitetin e tyre në Bosnjë e Hercegovinë.
Ministri i Jashtëm serb, Daçiç tha edhe se BE, SHBA dhe Britania e Madhe “do të jenë direkt përgjegjës” nëse shqiptarët i çojnë përpara ambiciet e tyre territoriale.
“Fatmirësisht, e gjithë kjo është veç një ëndërr. Megjithatë, përvoja na ka mësuar se rruga që çon nga ëndrra te makthi është e shkurtër”, shtoi Daçiç.

BE përjashton ndryshimin e kufijve

Përgjigjia e Perëndimit fillimisht ishte e vakët. Por javën e kaluar, Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, foli kundër mesazheve të liderëve shqiptarë, duke thënë se ato “mund të kthehen lehtësisht kundër” politikanëve që i dërguan.
“Dua të shpreh zhgënjimin tim, madje mërzinë, për deklarata zjarrndezëse nga disa liderë në rajon”, tha ai pas takimit me Daçiç në Bruksel. “Deklaratat që nënkuptojnë ndryshim kufijsh janë të papranueshme, më tepër se të panevojshme dhe kundërproduktive”.

Edi Rama në zonën e konfliktit

Pavarësisht zemërimit në Beograd, vëzhguesit ndërkombëtarë nuk besojnë se shqiptarët do të përpiqen të bashkojnë territoret e tyre, as përmes dhunës, as përmes diplomacisë. Deklarata provokuese ishte më tepër për përfitim politik në zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri dhe Kosovë, thonë ekspertët për “Deutsche Welle”. Po ashtu, kërcënimi për ndryshim kufijsh mund të bëjë presion mbi BE për të zbutur politikën e BE karshi vendeve me shumicë shqiptare.

Fantazia e bashkimit të gjithë shqiptarëve

Biseda për bashkim është fantazi, sipas Frederik Wesslau, anëtar i trupës së ekspertëve të Këshillit të Evropës për Marrëdhëniet me jashtë. Megjithatë, është shumë e dobishme si për politikanë shqiptarë ashtu dhe për ata jo-shqiptarë për grumbullimin e votave.
“Gogoli i Shqipërisë së Madhe është diçka që ngre krye herë pas here, ai përdoret nga liderët shqiptarë, por edhe nga liderët jo shqiptarë në Ballkanin Perëndimor”, thotë Wesslau, i cili ka kaluar disa vjet duke punuar për OSBE dhe OKB në Kosovë.
“Kur u duhet për objektivat e tyre politikë, e përdorin gjithmonë si një ëndërr për shqiptarët ose si një kërcënim nga nacionalizmi shqiptar, kur e përdorin serbët ose maqedonasit”.
Wesslau shton edhe se axhendat në Prishtinë e Tiranë nuk janë edhe aq të ngjashme sa duket. Po ashtu, ndërsa idea e bashkimit të të gjithë shqiptarëve përmban një kushtrim emocional, jo shumë votues do ta përkrahnin punën në këtë drejtim, tha ai për DW.
“Gjithmonë ka ekstremistë dhe kjo shihet kudo, por ky është një iluzion dhe nuk mendoj se duhet të trembemi”.

BE, ende opsioni më i mirë

Deklaratat e fundit të Ramës e Thaçit nuk duhet të merren shumë seriozisht, thotë Erdoan Shipoli, Dekan i Asociuar i Katedrës së Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare në Virginia International University, i lindur në Kosovë.
“Ajo që synojnë të arrijnë liderët shqiptarë me këto deklarata janë thjesht më tepër vota nga grupet nacionaliste”, tha ai DW. “Shumë politikanë shqiptarë akuzohen si të blerë nga SHBA, BE, filan vend apo grup, ndaj kjo është një mënyrë për të treguar se janë patriotë”.
“Shumica e shqiptarëve mendojnë ende se mënyra më e mirë e bashkimit është brenda Bashkimit Evropian. Shqiptarët e dinë se do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, edhe të zgjedhin liderin e Shqipërisë së Madhe, lëre pastaj ta bëjnë të funksionojë. Përkrahja për një iniciativë të tillë është minimale”.
Por edhe kështu, bisedat për Shqipërinë e Madhe janë të rrezikshme, sipas ekspertit. Njerëzit në rajon janë të lodhur nga korrupsioni dhe papunësia, shqiptarët pro-perëndimorë mendojnë se BE dështoi në mbrojtjen e interesave të tyre në Maqedoni e Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të zemëruar që BE nuk u lejon udhëtimin pa viza. Në rrethana të tilla, është e natyrshme që të rriten ndjenjat nacionaliste, shpjegon Shipoli.
“Tani për tani nuk ka përkrahje, por nëse BE vazhdon të dështojë me shqiptarët në përgjithësi dhe me Kosovën në veçanti, atëherë ky mendim do të fitojë më tepër terren dhe do të gjejë më tepër miratim”, tha Shipoli për “DW”.

Artikulli paraprakMustafaj: Zgjedhjet pa PD ripërsëriten brenda vitit
Artikulli tjetërEuro prek nivelin më të lartë të gjashtë muajve në bursë