Goditja e call center, mijëra vende pune drejt mbylljes

Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se ai i atyre që flasin italisht
Çfarë do të ndodhë tani në sektorin e call center në Shqipëri, aktiviteti i të cilit është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italianë dhe që ka rreth 25 mijë të punësuar?
13 sipërmarrje të mëdha italiane firmosën të enjten një protokoll mirëkuptimi me kryeministrin italian, Paolo Gentiloni dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda, në të cilin u angazhuan që 95% të shërbimeve aktuale t’i kalojnë gradualisht në Itali, si dhe të paktën 80% e vëllimeve outsourcing për kontratat e reja të kryhen në territorin italian.  Këto kompani janë: Eni, Enel, Sky, Mediaset, Tim, Vodafone, Wind Tre, Fastweb, Intesa SanPaolo, Unicredit, Poste Italiane, Ntv, Trenitalia. Po çfarë do të ndodhë tani në sektorin e call center në Shqipëri, aktiviteti i të cilit është ngushtësisht i lidhur me kontratat që u sjellin operatorët italianë dhe që ka rreth 25 mijë të punësuar? Aktorët e tregut pohojnë se nga 13 operatorët e sipërpërmendur, në Shqipëri kanë kontrata pesë prej tyre, Vodafone, Wind, Tim, Sky, Mediaset, Fastweb. Këto sipërmarrje vitet e fundit e kanë deleguar një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit të thirrjeve telefonike tek operatorët call center në Shqipëri. Situata aktualisht mbetet e paqartë për kompanitë call center në Shqipëri. Operatorët thonë se ata janë tashmë në pritje se çfarë do t’u thonë kontraktorët. Edhe ajo pjesë e vogël e shërbimeve prej 20%, që lejohet të transferohet, sipas protokollit, vlerësohet se do të shkojë në Rumani, jo në Shqipëri. Që në muajin dhjetor, kur Parlamenti italian kaloi në ligjin për buxhetin edhe masat shtrënguese, që synonin frenimin e delokalizimit të call center në vendet jashtë BE-së, kompanitë në Shqipëri i kanë marrë masat. Operatorët më të mëdhenj kanë regjistruar tashmë kompani edhe në Rumani, që duke qenë brenda BE-së nuk i nënshtrohet kufizimeve të masave shtrënguese. Mbyllja e kompanive të vogla call center në Shqipëri ka filluar, të tjerë raportojnë vështirësi dhe në përgjithësi operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit të bëhet më e qartë situata. Të tjerë kanë filluar të diversifikohen drejt shërbimeve të tjera, si web marketing apo dhe forex. Po synohet dhe tregu gjerman, por gjithsesi numri i të rinjve shqiptarë që dinë gjermanisht është shumë më i ulët se ai i atyre që flasin italisht.

Po zhvillohet forex, por ai mbetet i dyshimtë

Reklama të shumta në rrugët e kryeqytetit shqiptar ftojnë të rinjtë të punojnë në kompani call center që kanë parësor aktivitetin e forex, ku operatorët marrin në telefon qytetarët italianë dhe përpiqen t’i bindin të investojnë në platforma online tregtimi apo në aktivitetet e kursit të këmbimit. Një pjesë e kompanive të vogla të mbyllura i kanë transferuar punonjësit në sipërmarrje të tilla. Roberto Caparrota, administrator në call center, thotë se këto janë zgjidhje momentale dhe ky segment nuk mund të mbajë më shumë se 10% të tregut. Operatorët e këtyre kompanive, thotë ai, gjejnë një klient, e bindin të investojë, ai fiton një herë dhe pastaj vetëm humb. Ky është një biznes spekulativ dhe jo i qëndrueshëm. Ai thotë se mediat italiane po e investigojnë këtë dukuri dhe në momentin që lajmi do të dalë në media, edhe këto kompani rrezikojnë të mbyllen. Një tjetër problem me të cilin po hasen kompanitë lidhet me faktin që të rinjtë hezitojnë të fillojnë punë në to, për shkak të pasigurive që lidhen me të ardhmen e tyre.

Artikulli paraprakSa do na kushtojë udhëtimi me tren nga Tiranë në Durrës?
Artikulli tjetërMustafaj: Zgjedhjet pa PD ripërsëriten brenda vitit