Mosfunksionimi i Aeroportit të Kukësit, dëm ekonomik buxhetit

Ka kaluar më shumë se 1 vit nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Ministrisë së Transportit dhe TIA për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Tiranës dhe ende nuk është bërë asnjë lëvizje për vënien në operim të aeroportit të Kukësit. Por edhe pse ky aeroport është tërësisht jo funksional, po i shkakton një dëm të konsiderueshëm ekonomik buxhetit të shtetit, pasi rezultojnë 38 punësime fiktive në Aeroportin e Kukësit. Prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast, bazuar në informacionet se personat e punësuar rreth një vit më parë e kanë marrë pagën rregullisht, ndërsa nuk kanë qenë asnjë ditë në punë. Hetimi i këtij rasti po kryhet nga sektori i Antikrimit Ekonomik prej disa javësh dhe dyshimet janë se punësimi i 38 personave ka sjellë dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, pasi pagat dhe sigurimet shoqërore të paguara në adresë të tyre janë tërhequr pa kryer asnjë punë. Hetimet e Prokurorisë mësohet se janë adresuar te zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Autoritetit të Aviacionit Civil për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Emërimi ka ndodhur në periudhën maj-qershor të një viti më parë, ndërsa efektet financiare mendohet se kanë nisur së paku prej dhjetë muajsh. Në mars të 2016 është zhvilluar një tender nga Autoriteti i Aviacionit Civil, për “Shërbimin e Ruajtjes dhe Sigurinë Fizike të Aeroportit të Kukësit”, i cili është shoqëruar me ankimim pasi ka rezultuar se fituesi është shpallur pa pasur ofertues në garë. Por, nga hetimet ende nuk ka informacione konkrete për natyrën e emërimeve dhe nëse bëhet fjalë për këtë tender. Në Aeroportin e Kukësit nuk është bërë asnjë investim shtesë prej vitesh, duke e lënë atë vetëm me një pistë modeste dhe një kullë. Për vënien në operim të këtij aeroporti nevojiten rreth 3 milionë euro, ndërsa duket se ky proces do të zgjasë edhe për shumë kohë.

Artikulli paraprakKosovë, falimentuan mbi 2300 biznese
Artikulli tjetërAuditimi i KLSH: “Ministria e Transportit të mos prokurojë pa siguruar paratë”