Auditimi i KLSH: “Ministria e Transportit të mos prokurojë pa siguruar paratë”

Qeveria ka nisur të krijojë sërish borxhe të pashlyera ndaj biznesit privat. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se vetëm Ministria e Transporteve ka akumuluar mbi 35 milionë dollarë borxhe të pashlyera ndaj bizneseve që kanë kryer punë publike. “Detyrimi i prapambetur i akumuluar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deri 31.12.2016 paraqitet në vlerën 4.1 miliardë lekë”, deklaron KLSH në një raport auditimi. Sipas institucionit më të lartë auditues, krijimi i detyrimeve të prapambetura nuk është shoqëruar me një analizë të shkaqeve të pagesave të vonuara. “Nuk është respektuar disiplina buxhetore, kryesisht në drejtim të planifikimit buxhetor, kontrolleve financiare paraprake dhe rritjen e eficencës së shpenzimeve nga ana e titullarëve dhe nëpunësve”, konstaton KLSH. Sipas raportit, nuk janë marrë masa paraprakisht për të siguruar financimin e mjaftueshëm për vitin ushtrimor përpara se të fillojë prokurimi, bazuar në disponibilitetin e fondeve buxhetore. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave që të kryejnë një analizë të hollësishme mbi shkaqet për krijimin e borxheve të reja, si dhe të përcaktojë përgjegjësinë dhe vendosë masa administrative sipas kuadrit ligjor në fuqi. Në vitin 2014, qeveria mori 55 miliardë lekë borxh për të shlyer detyrimet e prapambetura dhe u angazhua se nuk do të lejonte krijimin e detyrimeve të tjera ndaj biznesit. Por sipas KLSH, ky zotim nuk është mbajtur dhe sektori publik ka nisur të krijojë sërish borxhe ndaj sipërmarrjes private. “Krijimi i detyrimeve të prapambetura nuk është shoqëruar me një analizë të shkaqeve të pagesave të vonuara. Nuk është respektuar disiplina buxhetore, kryesisht në drejtim të planifikimit buxhetor, kontrolleve financiare paraprake dhe rritjen e eficiencës së shpenzimeve nga ana e titullarëve, nëpunësve autorizues, nëpunësve zbatues. Nuk janë marrë masa paraprakisht për të siguruar financimin e mjaftueshëm për vitin ushtrimor përpara se të fillojë prokurimi, bazuar në disponibilitetin e fondeve buxhetore”, vlerëson KLSH.

Artikulli paraprakMosfunksionimi i Aeroportit të Kukësit, dëm ekonomik buxhetit
Artikulli tjetërRënia e euros ul paketën e pushimeve?