Montella optimist

Optimist pavarësisht humbjes në derbi. E ardhmja e Vincenzo Montellës në stolin e Milanit është vënë në dyshim të madh pas këtij fillim sezoni aspak të mirë me kuqezinjtë, që në 8 javët e para të Serisë A kanë regjistruar 4 fitore dhe 4 humbje. Gjithsesi edhe pse Milani i tij u mposht 3-2 në derbin e Madoninës ndaj Interit, tekniku i kuqezinjve ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës. “Kam parë një reagim të shkëlqyer në pjesën e dytë, krijuam 7 apo 8 raste për gol, kemi luajtur me shpirt dhe duhet të shohim anët pozitive të kësaj disfate”, u shpreh Montella.
Objektiv i Milanit vazhdon të mbetet vendi i 4-t që do t’i siguronte kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm me Montellën që beson ende te arritja e tij. “Sigurisht që kemi mundësi për t’u renditur të 4-it, për momentin ky objektiv ngjason me diçka të pamundur, por kampionati është ende shumë i gjatë”, tha ai.
Një lojë e denjë për t’u quajtur “derbi” është parë nga të dyja ekipet e Milanos mbrëmjen e së dielës në “San Siro”, duke mbajtur gjatë gjithë 90 minutëshit nën ankth tifozeritë e të dyja ekipeve. Të parët që kalojnë në avantazh janë zikaltrit me anë të Mauro Icardi në të 28-ën, goli i vetëm për pjesën e parë.
E ndërsa zikaltrit kanë qenë më dominantë në fraksionin e parë të ndeshjes, në të dytën është parë një variant tjetër i “kushërinjve”, ku që në fillim u aktivizua Cutrone në vend të Kessie. E pas një sërë tentativash, Suso në të 56-ën ka barazuar shifrat në 1-1.
Shtatë minuta më pas janë zikaltrit që përfitojnë në mbrojtje nga një gabim i Biglias dhe hidhen në kundërsulm duke kaluar sërish në avantazh me anë të Mauro Icardit. Por asgjë nuk ka përfunduar dhe në minutën e 80, Bonaventura shfrytëzon mjaft mirë një krosim të ardhur në zonë nga ana e Borinit dhe e ka dërguar në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Por kur të gjithë filluan të besonin se ndeshja po përfundonte në barazim 2-2, kryesori Paolo Tagliavento ka akorduar penallti në favor të zikaltërve, e cila është shndërruar në gol nga Icardi që shënon kështu golin e tretë personal në këtë derbi dhe të tretin për Interin.
Në minutat e mbetura nuk kishte asgjë për të shënuar dhe pas 3 minuta shtesë, Interi e sheh veten fitues i një ndeshjeje mjaft të vështirë dhe në vendin e dytë pas 8 javësh në Serinë A, vetëm 2 pikë pas Napolit kryesues me të cilin do të përballet javën e ardhshme.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakPochettino: Ronaldo e Messi janë të veçantë
Artikulli tjetërTek Reali nuk kam qenë i lumtur