Tek Reali nuk kam qenë i lumtur

Në një intervistë të gjatë për “Telefoot”, Jose Mourinho ka folur për etapat më të rëndësishme të karrierës së tij. Mes kujtimeve të “Special One” nuk mund të mungonte koha e kaluar tek Inter: “Ka patur disa momente shumë të bukur, por jam i kënaqur me karrierën time. Champions-i me Port-n? Të fitosh në Europë me një klub të vendit tënd është një ndjesi e veçantë sepse bëhet pjesë e historisë së klubit dhe të vendit”.
Inter – “Inter ka qenë diçka shumë e veçantë, ka qenë një histori dashurie. Kisha një grup fantastik dhe për atë brez lojtarësh ishte mundësia e fundit për të fituar. I kemi dhuruar familjes Moratti dhe të gjithë tifozëve një gëzim të jashtëzakonshëm. Lamtumira ime? Ka qenë momenti më i mirë për të shkuar te Real dhe për t’u përballur me Barcelonën më të fortë të të gjitha kohërave. Pse Barcelona zgjodhi Guardiola-n para meje? Një ditë do të them të vërtetën, por jo sot. Një ditë djali më tha: do të fitosh shumë kundër Messi-t, por jo me atë. Kjo më ka bërë të mendohem”.
Real Madrid – “Vendimi për t’u larguar nga Real Madrid? Vajza ime studionte në Universitetin e Londrës dhe kemi dashur ta mbajmë të bashkuar familjen. Ka qenë një vendim personal dhe gjatë vitit të tretë te Real nuk kam qenë i lumtur”.
PSG – “Ditën tjetër, djali im që jeton në Londër ka vendosur të shkojë në Paris dhe jo në Mançester për të parë ndeshjen, sepse për momentin Parisi është një vend i veçantë. Rinia, cilësia e jetës… është gjithçka fantastike. E ardhmja? Ajo që mund të them është se jam një trajner me ambicie dhe me dëshirën për të bërë gjëra të reja, jam i sigurt se nuk do ta mbyll karrierën time këtu (Manchester United)”.

 

Artikulli paraprakMontella optimist
Artikulli tjetërMë të varfërit në Europë çmimet më të larta për bukën e qumështin