Mjetet e transportit publik dy herë në kolaudim

Mjetet e transportit publik do të kalojnë dy herë në vit në kolaudim për kontrollin fizik të automjetit. Është ky urdhri i ri i firmosur nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto. Autobusët, furgonët dhe taksitë do të kryejnë kontrollin edhe për sigurinë e udhëtarëve dhe pastërtinë e mjetit. Në urdhër thuhet gjithashtu se këto mjetet duhet të plotësojnë kushtet që lidhen me sigurinë dhe komoditetin e udhëtarëve. Të tilla janë fikësja e zjarrit, çekiç për thyerjen e xhamave etj. Kurse autobusët, përveç derës së parë, duhet që të ketë edhe një derë të dytë emergjence që të jetë funksionale. Po kështu, pamja e jashtme e autobusit nuk duhet të ketë deformime dhe mos të ketë mbishkrime, përveç emrit të subjektit transportues. Edhe ngjyra nuk duhet të ndryshohet, por duhet të jetë e njëjtë si në lejen e qarkullimit. Afati kohor i kryerjes së kontrollit teknik periodik të detyrueshëm është 6 muaj pas kryerjes së kolaudimit që është i detyrueshëm për të gjitha automjetet.

Artikulli paraprakFMN: Shqipëria, me humbjen më të madhe në Europën Lindore nga emigracioni
Artikulli tjetërDenoncimi: OSHEE më la 10 muaj pa drita se nuk pagova faturën abuzive 880 mijë lekë