Ministria e Shëndetësisë nuk i ka paguar mjekët për ditët e patronazhimit

Që kur sistemi i patronazhimit filloi të funksionojë, redaksia e “Pro Pacientit”, i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë, leje për të marrë informacion lidhur me sesi po funksionon ky sistem. Duke marrë indicje edhe nga mesazhet që bluzat e bardha dërgonin në adresë të redaksisë lidhur me këtë çështje. Kërkesa, nuk u miratua!
Një nga pretendimet e ngritura nga vetë bluzat e bardha, ishte paga. Sipas tyre, nuk kishte dhe ende nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), për mënyrën e pagesave të mjekëve që bëjnë patronazhim. Sipas një denoncimi të mbërritur ditën e sotme, thuhet se jo vetëm çështja e pagave, por mjekët gjithashtu po përballen me probleme të tjera si: mungesa e infrastrukturës dhe materialeve mjekësore në spitalet ku ofrojnë shërbim.

“Ministria e Shëndetësisë nuk i ka paguar mjekët për ditët e patronazhimit. Përveç pagave, që është një shqetësim, problem më i madh është se javët e para i nisnin mjekët në ekip, tani i kanë nisur të vetëm duke krijuar edhe risqe të mëdha në mbulimin optimal të shërbimit, sepse urgjencat apo rastet e vështira kërkojne ekip.
“Nga ana tjetër disa mjekë po marrin veglat e operacionit me vete, sepse nuk ka asnjë kusht për të kryer operacione me standarde, sikurse më e keqja, në disa spitale rajonale mungojnë bankat e gjakut”, thuhet në denoncimin e mbërritur.
Burime për “Pro Pacientin”, konfirmojnë se në fakt, çështja e pagave qëndron, ndërkohë sa i takon çështjes së infrastrukturës, kjo thonë burimet, nuk ishte e panjohur për Ministrinë e Shëndetësisë, megjithatë “kanë marrë përsipër ta vënë mjekun përballë këtij risku”.

Artikulli paraprakKostot në ndërtim në ulje por çmimet e shitjes në rritje
Artikulli tjetër34 mijë mësues pa kontrata pune