Horror krimi, 3 grabitje bankash dhe biznesesh

Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për bizneset në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme u kryen 3 grabitje brenda 4 orëve në Tiranë, Fier dhe Korçë. Në qendër të grabitësve të armatosur dhe me maska janë vënë bankat dhe bizneset. Një bankë u grabit në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga persona të armatosur dhe me maska në Tiranë tek “21 Dhjetori”. Bëhet e ditur se maskat, pasi kanë arritur të marrin më shumë se 50 milionë lekë në bankë janë larguar me një motor në drejtim të paditur për policinë. Banka e grabitur ndodhet vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë.
Ndërsa në Fier, persona të armatosur dhe të maskuar grabitën 220 milionë lekë në një kompani private të pajisjeve elektronike. Kompania ka qenë duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu grabitën 220 milionë lekë. Po ditën e djeshme në Korçë është grabitur në orët e para të mëngjesit, kasaforta e një biznesi që tregtonte materiale ndërtimi. Edhe në këtë rast, maskat kanë grabitur miliona lekë, ndonëse shuma e grabitur nuk publikohet nga policia.
Krimi po rritet frikshëm nga dita në ditë në të gjithë vendin, ndërsa policia është e pafuqishme për ta goditur atë për shkak të lidhjeve të pushtetarëve me bandat.

Si u grabit banka tek “21 Dhjetori”

Ka qenë ora 08:25 e mëngjesit të djeshëm, kur dy persona të armatosur dhe me maska janë futur  në bankën e nivelit të dytë që ndodhet në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë. Nga detajet paraprake mësohet se, ata ishin maskuar dhe kishin vendosur edhe kapele. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy persona të armatosur me armë zjarri dhe të maskuar me shall dhe kapele, pasi kanë neutralizuar sigurimin e bankës, kanë vazhduar drejt kasës. Njëri nga personat me maskë i ka vënë armën në kokë rojes së sigurisë, duke e neutralizuar atë, ndërsa tjetri është drejtuar te kasa e lekëve, duke mbushur çantën me paratë që ndodheshin në bankë. Punonjësit e bankës nuk kanë bërë asnjë rezistencë, por të frikësuar deri në palcë i kanë lejuar maskat që të marrin të gjitha paratë që ndodheshin aty.
Grabitësit kanë dashur të përfitojnë nga fakti që para orës 09:00 në bankë nuk ka punonjës, por kur kanë shkuar drejt kasafortës për të kryer grabitjen, diçka nuk ka shkuar sipas parashikimeve të tyre. Ndërsa tentonin ta hapnin, në bankë ka rënë sinjali i alarmit. Të kapur në befasi, ata kanë lënë edhe pistoletën brenda ambienteve të bankës.
Pasi kanë marrë paratë, dy personat e maskuar janë larguar me shpejtësi me një motor të zi “Skuter”. Mësohet se pas daljes nga banka, dy grabitësit janë futur në mes të rrugicave në zonën e rrugës “Myslym Shyri”. Burimet bëjnë të ditur se, shuma e parave të grabitur është rreth 50 milionë lekë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur një armë zjarri, e cila ishte lënë nga njëri prej autorëve.
Bëhet e ditur se para se të ndodhte grabitja e bankës, dy grabitësit e armatosur lëvizin me një motor të vogël dhe me skafandra në kokë brenda një blloku banimi. Nuk kanë qenë të shumta kamerat e zonës që kanë fiksuar lëvizjet e dy grabitësve dhe kjo dyshohet se ka qenë pjesë e planit të tyre. Grabitja u krye rreth orës 08:25 nga dy persona, të cilët kanë qenë të armatosur. Njërit prej grabitësve, të cilët mbanin kapele në kokë për të shmangur kamerat e sigurisë, i ka rënë dhe arma tip pistoletë, gjatë kohës që po largoheshin nga vendngjarja. Grupi hetimor po punon për identifikimin e gjurmëve të mundshme të lëna mbi armën me të cilën u krye grabitja, por ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve.

Terror në Fier, maskat grabisin 22 milionë lekë

Një tjetër grabitje e armatosur ka ndodhur paraditen e djeshme, këtë radhë në qendër të qytetit të Fierit, në lagjen “Apollonia”. Bëhet e ditur se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur paratë e një kompanie private të pajisjeve elektronike. Sipas burimeve, Kompania ka qenë duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu grabitën 22 milionë lekë. Dy grabitësit me maska dhe të armatosur kanë ndjekur punonjësit e kompanisë që po transportonin në bankë dhe u kanë zënë pritë. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë arritur të marrin të gjitha paratë dhe janë larguar me shpejtësi me një motor në drejtiim të paditur për policinë. Punonjësit e kompnaisë janë terrorizuar nga kërcënimet me armë dhe janë detyruar që të dorëzojnë paratë tek maskat. Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik edhe tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në rrugë në atë moment.
Për këtë ngjarje Policia e Fierit ka dalë me një deklaratë për shtyp ku thotë, se shuma e parave të grabitura ka qenë 20 milionë lekë. Policia e Fierit ka dhënë një informacion paraprak për grabitjen e një firme pajisjesh elektronike sot në Fier. “Më datën 19.12.2016, rreth orës 10:45, në lagjen “Apollonia”, në afërsi të shkollës “Dertliu”, dy persona të paidentifikuar, i kanë marrë nga dora çantën menaxherit të AZA Elektronik dhe janë larguar me shpejtësi. Dyshohet se në çantë kishte rreth 2 milionë lekë (të reja). Policia po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grabitet një biznes në Korçë nën kërcënimin e armëve

Tjetër grabitje me armë e maska ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Korçë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:35 të mëngjesit në një biznes me prodhime materialesh ndërtimi në fshatin Bulgarec të Korçës. Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në biznesin në pronësi të shtetasit Luan Larti dhe kanë vjedhur një sasi parash brenda kasafortës dhe më pas janë larguar. Bëhet e ditur se maskat kanë lidhur rojen dhe më pas janë futur në katin e dytë të godinës ku grabitën nga kasaforta 70 milionë lekë. Behet fjalë për sulm ndaj firmës së importit të hekurit në rrugën nacionale Korçë-Pogradec në afërsi të Bulgarecit.
Policia lokale bëri të ditur, se grabitësit, nën kërcënimin e armëve, kanë lidhur rojen dhe më pas kanë realizuar vjedhjen e kasafortës, duke marrë jo vetëm shumën e lekëve, por edhe disa dokumenta. Grupi hetimor, po punon për zbardhjen e dinamikës së grabitjes, duke marrë dëshmitë e rojes dhe personave të tjerë të punësuar në këtë subjekt, por ende nuk është arritur që të zbulohen autorët e grabitjes.
Grabitja e njërit prej biznesmenëve më të fuqishëm të Juglindjes, është e treta ngjarje e pazbardhur ende nga policia, pas grabitjes të banesës së kryeplakut të fshatit Vashtmi dhe supermarketit të Maliqit.
Grabitja e një sasie të konsiderueshme lekësh në një biznes në Korçë është e treta brenda 4 orëve në vendin tonë. Grabitjet nisën këtë të hënë me bankën e nivelit të dytë tek zona e “21 Dhjetorit” në kryeqytet, ku ende nuk janë zbuluar autorët e grabitjes, ndërsa vetëm një orë pas saj, u grabit një fabrikë e një ndërtuesi të fuqishëm në Korçë, ku maskat arritën të marrin të gjitha paratë që kishte në kasafortë. E treta në Fier, ku pre e grabitjes ka rënë një firmë që tregtonte pajisje elektronike.
E ndërsa krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, drejtori i përgjithshëm i policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato deklaroi dje se, “numri i krimeve është ulur krahasuar me më parë”. Qato nuk tha asnjë fjalë për tre grabitjet e djeshme në Tiranë, Fier dhe Korçë të kryer në katër orë.

Pse nuk arrestohen grabitësit e bankave

Grabitjet e bankave dhe bizneseve nga bandat e armatosura dhe me maska tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme u kryen tre grabitje nga maskat brenda një harku kohor prej 3 orësh. Në Tiranë maskat grabitën nën kërcënimin e armëve 50 milionë lekë në një bankë tek “21 Dhjetori”, në Fier u grabitën 22 milionë lekë të një kompanie private të pajisjeve elektronike, ndërsa po i dërgonin paratë në bankë, kurse Korçë maskat grabitën 70 milionë lekë në banesën e një biznesmeni.
Ashtu si edhe në grabitjet e tjera të bankave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, etj, edhe në tre rastet e grabitjeve të djeshme, policia nuk ka arritur të arrestojë grabitësit. Policia jo vetëm që nuk i arreston, por ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë, sepse ka frikë pasi, bandat e grabitësve janë njësh me qeverinë. Bandat e grabitjeve dhe të trafikut të drogës nuk goditen nga qeveria, sepse qeveritarët bashkëpunojnë me to. Policia u hap rrugë maskave që të grabisin banka e biznese, ndërsa godet qytetarët që dalin të shesin paketa cigaresh në rrugë, apo qepë e presh për të mbajtur frymën gjallë.
Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve. Grabitjet e fundit nga maskat tregojnë edhe një herë se, biznesi po goditet dhe sulmohet për çdo ditë, ndërsa autorët largohen “në drejtim të paditur” për policinë. Mjaft biznesmenë dhe tregtarë shprehen se ndjehen të pasigurtë në punën e tyre, për shkak të sulmeve dhe grabitjeve me armë nga maskat, ndërsa alarmi i tyre ndaj qeverisë ka rënë veshë të shurdhër.

PD: Kur qeveris me krimin, i jep krahë grabitjeve me maska

Kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për 3 grabitjet me armë të ndodhura ditën e djeshme. Grabitjet të ndodhura në harkun kohor të 4 orëve kanë sfiduar çdo sistem mbrojtjeje me dëm në biznese. “3 grabitje me armë e me maska brenda 4 orëve, është mënyra më e keqe për të nisur një javë në Shqipëri”, tha Alibeaj në një deklaratë për median.
Ai tha më tej se, këto janë ngjarje të rënda që tregojnë se çdo ditë e më shumë krimi fiton terren dhe rendi bie. “Në mes të ditës, në Tiranë, Korçë dhe Fier, maskat ia kanë dalë të godasin, të marrin paratë e të zhduken në drejtim të paditur”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj akuzoi qeverinë për bashkëpunim me krimin, duke i dhënë krahë grabitësve dhe trafikantëve. “Këto kanë qenë kohë të favorshme për krimin. Krimi sjell krim dhe kur qeveris me krimin, kur jep garanci e letra rekomandimi për bandat, atëherë i jep krahë grabitësve, trafikantëve, maskave”, përfundoi Alibeaj.

R.POLISI

Artikulli paraprakMiliardat e Beqes, si lejoi tregtimin e barnave false?
Artikulli tjetërMafia e pronave, Prokuroria sekuestron 950 hektarë tokë në Vlorë