Milani nuk i besoi, Cristante heroi i Atalantës

Nata e Liverpool, nata e “Goodison Park” është nata e historisë për Atalantan që, 27 vite pas ecurisë së suksesshme në ish-Kupën UEFA, me bergamaskët që e ndalën vrapin në çerekfinale, të eliminuar nga Inter-i i Trapattoni-t, do të luajnë në fazën me eliminim direkt pas fitores 5-1 të arritur kundër Everton. Fitore kjo që i ka lejuar ata të fitojnë Grupin E. Një rezultat fantastik, i jashtëzakonshëm, por që ishte i paimagjinueshëm në ditën kur është hedhur shorti.
Megjithatë, falë entuziazmit, shpirtit të sakrificës, përqendrimit, dëshirës, vendosmërisë dhe arrogancës së debutuesve dhe të rinjve të shumtë në përbërje, lojtarët e Gasperini-t kanë tejkaluar çdo parashikim me 3 fitore dhe 2 barazime, që janë shoqëruar me 13 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar. Protagonisti i suksesit të fundit ka qenë mesfushori Bryan Cristante, auto i dy golave në takimin e të enjtes në mbrëmje. Nga i nënvlerësuar te Milan te hero i ekipit zikaltër, kjo ka qenë trajektorja e talentit friulan.
Në radhët e kuqezinjve, ai është rritur mirë nën vëmendjen e trajnerëve të klubit milanez, të cilët janë kujdesur për të dhe e kanë konsideruar si një prej talenteve më të mira të moshave. Një fazë e parë që e ndihmoi atë të bëhej pjesë e ekipit të parë dhe të bëhej, në dhjetor të 2011-ës në Champions League kundër Viktoria Plzen (2-2), lojtari më i ri i historisë së kuqezinjve që ka debutuar në një kompeticion ndërkombëtar. Më pas, në shkurt të 2013-ës, kur ishte 17 vjeç, ka marrë çmimin “Golden Boy” në kampionatin e Viareggio-s. 6 golat e realizuar në 60 ndeshje me të rinjtë i kanë hapur dyert e debutimit në Serinë A kundër Chievo-s, në moshën 18 vjeç, më 10 nëntor të 2013-ës dhe, më pas, ka ardhur debutimi nga minuta e parë, e shoqëruar me gol, janarin pasardhës kundër të ardhmes së tij të afërt: Atalantas. E gjitha kjo, duke mbajtur numrin 24 në nder të idhullit të tij sportiv: Kobe Bryant.

Artikulli paraprakShqipëria, ndër normat më të larta në Europë të orëve shtesë
Artikulli tjetërTregu i pronave, ekspertët: Frenohet nga rritja e taksave