Tregu i pronave, ekspertët: Frenohet nga rritja e taksave

Rritja e taksave po ushtron një trysni frenuese mbi tregun e pronave. Lefter Sila, agjent i pasurive të paluajtshme thotë se, rritja e tatimit mbi të ardhurat ka kufizuar ndjeshëm tregun si segmentin e shitjeve, ashtu në atë të qirave. Jo rastësisht, procesi i rivlerësimit të pronave kundrejt një tarife 2% solli një rritje të ndjeshme të shitjeve më herët gjatë këtij viti. “Çdo rritje takse ndikon shumë në mbarëvajtjen e transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Kjo nuk është se është ndonjë rritje e madhe, tatimi mbi pronësinë, por po të marrësh në kompleksin e taksave që është tatimi mbi të ardhurat nga shitja, diferenca e të cilit është 15%, ose tatimi mbi të ardhurat nga qiraja që është 15%, të gjitha bashkë sigurisht që ndikojnë te qytetarët dhe tek shtresat blerëse të popullsisë, njëkohësisht edhe tek ato shitëse. Kur doli rivlerësimi i pasurive të paluajtshme u vu re që pati një rritje të madhe transaksionesh sepse klientët nga 15% të diferencës paguanin vetëm 2%. Në këtë kohë që ka mbaruar rivlerësimi edhe transaksionet kanë rënë”, tha Sila. Zoti Sila është pesimist lidhur me ecurinë e tregut në të ardhmen e afërt. Sipas tij, po vërehet një rritje e fortë çmimesh, sidomos për ndërtimet e nisura pas vitit 2015. Ai mendon se çmimet po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për fuqinë blerëse të tregut. “Vë re se duke filluar nga viti 2015 janë dhënë dhe po jepen shumë leje ndërtimi. Kjo do të thotë që oferta do të jetë shumë e madhe. Mirëpo kjo ofertë është e shoqëruar me një rritje të madhe çmimesh, sidomos për pallatet që po ndërtohen pas vitit 2015. Ato para vitit 2015 janë me çmime shumë të ulëta, të reja qofshin këto apo ekzistuese. Kurse këto që po ndërtohen tani, po themi kanë një rritje çmimi me 30% më shumë se ato të parat. Të shohim, koha do ta tregojë, po mendimi im është që shitja do të vështirësohet shumë”, u shpreh Sila. Ndonëse tregu i pronave ende ka një ecuri të luhatshme, në dy vitet e fundit ekspertët vërejnë një përmirësim të shitjeve dhe një tendencë për rritje çmimesh, sidomos në zonat periferike, ku edhe kërkesa paraqitet më e lartë, për shkak të një baze çmimesh më të përballueshme.

Artikulli paraprakMilani nuk i besoi, Cristante heroi i Atalantës
Artikulli tjetërVasili: Këshillat për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit, klientelizëm politik