Meta: Vullneti i sovranit do të shprehet në mënyrën më spektakolare më 25 prill

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se ka një përpjekje të madhe për frikësimin e qytetarëve dhe të votuesve. Në një konferencë nga Durrësi, Meta tha se kur e pyetën një nga eksponentët e nazizmit që mbeti gjallë, se si arritën të bindnin popullin gjerman për të mbështetur nazizmin ai tha ‘bëje një popull të ketë frikë dhe mund të bësh me të çfarë të duash’.

“Nuk jam aspak naiv që në këtë klimë skizofrenike politike, e cila është e qëllimshme dhe është prej vitesh ne të realizojmë zgjedhje të standardeve daneze apo suedeze, por unë jam i qartë, i bindur se vullneti i sovranit do të shprehet në mënyrën më bindëse dhe më spektakolare më 25 prill sepse kam vënë re që qytetarët tanë e kanë kuptuar që zgjidhja do të vijë në radhë të parë përmes votës dhe pjesëmarrjes së tyre në këto zgjedhje.

Së dyti, ne e dimë që ka një përpjekje të madhe për frikësimin e qytetarëve dhe të votuesve. Ju jeni dëshmitarë në Durrës, sigurisht keni qenë dëshmitarë të ngjarjeve që i di gjithë bota, siç janë standardet e zgjedhjeve të fundit të Shijakut. Kur e pyetën një nga eksponentët e nazizmit që mbeti gjallë, se si arritët të bindnit pop gjerman për të mbështetur nazizmin ai tha ne kishim studiuar natyrën njerëzore dhe duke studiuar natyrën njerëzore kishim të qartë se përmes frikësimit, bëje një popull të ketë frikë dhe mund të bësh me të çfarë të duash. Kjo tha mund të ndodhë në çdo regjim. Unë e besoj shumë kur them jemi popull shqiponjash”, deklaroi Meta.

Presidenti tha se e ngre zërin për të paralajmëruar pasi luhen fatet e vendit, të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ajo që kërkon sipas tij, është puralizmi politik dhe vota e lirë dhe e barabartë për të cilën dha jetën Havzi Nela.

“Kur dikush thotë pse e ngre zërin Ilir Meta, unë e ngre që të paralajmëroj sepse këtu luhen fatet e vendit për 100 vitet që vijnë, të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të së ardhmes europiane. Kjo nuk është thjesht çështje e Ilir Metës, por e çdo qytetari të Shqipërisë. Ajo që kërkon Ilir Meta dhe do ta realizojë patjetër është ajo në themele të republikës, pluralizmi politik dhe vota e lirë dhe e barabartë e çdo qytetari të Shqipërisë.

Për këtë gjë ka dhënë jetën Havzi Nela, për fjalën e lirë, votën e lirë. Kanë dhënë jetën heronjtë e Shkodrës, të 2 prillit, ka sakrifikuar Mandela i Shqipërisë Pjetër Arbnori dhe sa e sa figura e personalitete të tjera që nuk u dorëzuan dhe në kushtet e një regjimi të tmerrshëm stalinist që ia kaloi dhe vetë Stalinit për arsye të mbylljes dhe të shkatërrimit dhe të lirisë së besimit dhe të objekteve të kultit dhe të persekutimit të të gjithë udhëheqësve”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Artikulli paraprakBasha me mësuesit e arsimit parauniversitar: Do ta largojë frikën si instrument sundimi, ndryshimi do jetë i thellë
Artikulli tjetërBasha me qytetarët në Tiranë: 25 prilli do të jetë ditë shprese dhe fitoreje për të gjithë shqiptarët!