Meta në sintoni me hallin e Berishës, po asgjësohet e drejta e opozitës…

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të Rithemelimit, pavarësisht kaosit që ata po krijojnë në Kuvend duke sabotuar punën e seancave plenare, por edhe të Komisioneve.

Sipas Metës po asgjësohen të drejtat e opozitës në Kuvend dhe se Partia e Lirisë mbështet kërkesat e tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore.

“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve. Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:

Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend; Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore; Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh.

Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen. Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Meta në Facebook.

Artikulli paraprakPS bllokoi hetimet parlamentare me argumentin se po heton SPAK, Dumani “rrëzon” shumicën: Mund të bashkëpunojmë!
Artikulli tjetërOpozita që i duhet Edi Ramës