Memushaj qëndron në Francë me Kombëtaren

Pascara drejt ëndrrës për t’u rikthyer në Serinë A dhe Ledjan Memushaj përpara televizionit, duke ndjekur shokët e tij të ekipit. Kjo pavarësisht se në klubin italian, por edhe mediat lokale në Provincën e Abruzzo-s shprehën besim se, Gianni De Biasi do ta lejonte mesfushorin të qëndronte me ekipin.
Sipas gazetave “Mattino Padova” dhe “Il Piccolo”, vlonjati do të kthehej te Pescara deri në mbrëmjen e së enjtes, kur skuadra do të luajë edhe finalen e kthimit në play-off ndaj Trapanit.
Por, kjo mundësi është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga stafi teknik i Kombëtares, nga grumbullimi në Perros Guirec. Memushaj, i cili vazhdon përgatitjet me grupin kuqezi, do të jetë në dispozicion të trajnerit De Biasi, për ndeshjen e parë në Grupin A të Euro 2016, të shtunën përballë Zvicrës.
Për vetë objektivin madhor që Pescara kishte, Shqipëria e toleroi, duke e lejuar Memushajn që të luante në finalen e parë të play-off, të fituar 2-0. Një akord i gjetur mes xhentëllmenësh, edhe pse ndeshja u luajt më 5 qershor, datë në të cilën sipas rregullores së UEFA-s futbollistët janë ekskluzivisht në dispozicion të ekipeve përfaqësues.
Një tjetër tolerim, vetëm 48 orë përpara debutimit historik në Kampionatin Europian nuk do të kishte asnjë sens logjik. Prej faktit se, Pescara thuajse e ka siguruar ngjitjen në elitën e futbollit italian, por edhe sepse forcat dhe e gjithë vëmendja e Shqipërisë është përqendruar në finalet e Euro 2016 dhe Memushaj mbetet një element mjaft i rëndësishëm i skuadrës kuqezi.

Artikulli paraprakMavraj kthehet në stërvitje
Artikulli tjetërShqipëria, kartolinë përpara Euro 2016