Mavraj kthehet në stërvitje

Lajme të rëndësishme për Kombëtaren shqiptare të futbollit, vetëm pak orë përpara debutimit të së shtunës, në Kampionatin Europian. Pas ditës së pushimit, ku iu nënshtrua terapive intensive me fizeoterapistët, Mërgim Mavraj u kthye të stërvitet me grupin në stadiumin “Iv Le Genot” në “Perros Guirec”. Lodhja muskulore kaloi dhe mbrojtësi punoi me pjesën tjetër të lojtarëve. Prezenca e lojarit të Koln-it në qendër të repartit difensiv përkrah kapitenit Lorik Cana është tejet e rëndësishme, pasi ai ofron siguri dhe eksperiencë për duelin ndaj Zvicrës.
Normalisht në fushë edhe dy titullarë të tjerë kuqezi, që gjatë së martës krijuan jo pak shqetësim për gjendjen e tyre. Amir Abrashi qetësoi stafin kuqezi pas shqetësimeve që i shkaktonte lëndimi në shpatull, të trashëguar nga aktivizimi me Freiburgun dhe që iu përkeqësua pas një dueli gjatë grumbullimit në Austri.
Pas kontrolleve dhe masazheve të zgjatura, mesfushori i njohur edhe me nofkën “pit-bull” tregoi në stërvitje se është në gjendje optimale, ku si gjithmonë ishte luftarak për çdo top. Sinjale të rëndësishme pozitive dha edhe Etrit Berisha. Pas lëndimit që pësoi në dorë, gardiani kuqezi u stërvit normalisht me trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi dhe dy gardianët, Shehi e Hoxha.
Seanca stërvitore e Kombëtares gjatë paradites së të mërkurës zgjati për afro 60 minuta, ku stafi teknik është përqendruar te taktika, me zv.trajnerin Paolo Tramezzani që drejtonte programin stërvitor dhe kapitenin Lorik Cana, që si zakonisht orientonte shokët në zbatimin e detyrave. Atmosfera ishte mjaft pozitive dhe ushtrimet, pjesë e cilave si shpesh herë është edhe asistenti kuqezi, Erjon Bogdani, u zhvilluan mes humorit. Tregues i qartë se Kombëtarja ka besim te potenciali i saj dhe është gati të mahnisë sërish Europën.

Artikulli paraprakSHBA: Rusia po ndjen dhimbjen e sanksioneve
Artikulli tjetërMemushaj qëndron në Francë me Kombëtaren