Memushaj: Duam 3 pikë me Sassuolon

Ledian Memushaj beson ende te mbijetesa e Pescarës në Serinë A, edhe pse renditja në fund të klasifikimit me vetëm 9 pikë, nuk të lejon të jesh shumë optimist. Kapiteni i ekipit abrucez, duke folur për përballjen e të dielës me Sassuolon, këmbënguli se nuk mund të ketë më justifikime për rezultatet e dobëta sidomos në stadiumin “Adriatico”.
“Të dielën kemi një ndeshje, të cilën duhet ta fitojmë me çdo kusht. Janë shumë gjëra që nuk kanë qenë në favorin tonë. S’më pëlqen të justifikohem e të them që s’kemi patur fat, por sigurisht edhe fati na ka munguar. Na janë dëmtuar shumë lojtarë, por ky nuk mund të jetë një justifikim. Sigurisht nëse e krahasojmë me ecurinë e sezonit të kaluar, diçka nuk ka shkuar mirë. Duhet të rregullojmë gjithçka, edhe drejtuesit po bëjnë punën e tyre me blerjet. Ne duam dhe besojmë se mund të shpëtojmë nga rënia”, u shpreh Memushaj.
29-vjeçari thekson se një fitore e mundshme në shtëpi me Sassuolon mund të shënojë kthesën e madhe për Pescarën në garën për mbijetesë. “Unë ndihem mirë, por ndoshta edhe paraqitja e lojtarëve të veçantë nuk ka qenë ajo e duhura për shkak të rezultateve. Nëse do të kishim disa pikë më shumë, do të flisnim ndryshe. Klasifikimi e tregon qartë: duhet të flasin në fushë që nga kjo e dielë. Aquilani kundërshtar? Ne do të kemi përballë Sassuolon dhe nuk shohim se kush luan te kjo skuadër. Kur rezultatet nuk vijnë ata që kritikohen të parët janë futbollistët me cilësi dhe eksperiencë, kështu që edhe Aquilani pagoi për rezultatet e dobëta. Te kjo skuadër më pëqen fakti se të gjithë, lojtarët, stafi dhe drejtuesit besojnë tek objektivi. Ne nuk duhet të shohim renditjen, por të fokusohemi te ndeshja e të dielës, sepse një fitore mund të ndryshojë kampionatin tonë”, tha ai.
Në hubjen 3-1 në fushën e Napolit, Pescara shkurtoi diferencën në kohën shtesë me një 11-metërsh të ekzekutuar nga Caprari. Memushaj shpjegon se i kishte kërkuar vetë trajnerit Massimo Oddo që ta gjuante dikush tjetër.
“Trajneri më kërkoi se çfarë kisha ndërmend të bëja dhe unë i thashë se nëse e merr përsipër dikush tjetër goditjen e penalltisë, atëherë le ta gjuajë ai. Nëse, jo atëherë e bëj unë. E rëndësishme është që topi të shkojë në rrjetë. Për mua nuk ka asnjë ndryshim nëse shënoj apo gaboj dy penallti më shumë, e rëndësishme është mbijetesa e skuadrës”, përfundoi Memushaj.

Artikulli paraprakKundër kinezëve
Artikulli tjetërTjetër talent shqiptar në Serinë A