Melania Trump, fjalimi si një emigrante

Kuvendi Kombëtar i Republikanëve zhvendoset të martën tek ekonomia, një ditë pasi Melania Trump i tha audiencës në mbrëmjen e së hënës, se bashkëshorti i saj Donald, është “një udhëheqës i jashtëzakonshëm” dhe i vetmi që mund të sjellë ndryshim në Shtetet e Bashkuara.
Të martën në Klivlend të Ohajos, flasin disa nga figurat kryesore të Partisë Republikane, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe ish-kandidatët presidencialë, Chris Christie dhe Ben Carson. “Nëse doni dikë që të mund të luftojë për ju dhe për vendin, ju siguroj se ai është personi i duhur”, tha zonja Trump. Melania Trump, një imigrante sllovene, është shfaqur fare pak gjatë fushatës presidenciale dhe e përdori një pjesë të fjalimit të saj për folur për historinë e saj personale.
Por fjalimi i saj filloi menjëherë të shkaktojë debate lidhur me prejardhjen e tyre, pasi gazetarët diktuan ngjashmëri të jashtëzakonshme në një pjesë të tij me fjalimin që dha Michelle Obama në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve në vitin 2008.
“Që kur isha e re, prindërit ngulitën tek unë vlera të tilla si të punosh fort për të arritur atë që do në jetë. Që fjala jote është premtimi yt dhe atë që thua duhet ta bësh. Që duhet t’i trajtosh njerëzit me respekt”, tha zonja Trump të hënën.
“Barack-u dhe unë, jemi rritur me shumë vlera të përbashkëta: si të punosh fort për të arritur atë që do në jetë, që fjala jote është premtimi yt, që duhet, që duhet ta bësh atë që thua se duhet ta bësh, që t’i trajtosh njerëzit me dinjitet dhe respekt”, tha zonja Obama në fjalimin e saj.
Fushata e zotit Trump nxori një deklaratë të martën herët në mëngjes, duke e mbështetur fjalimin e Kuvendit. “Për të shkruar fjalimin e saj të bukur, ekipi i shkruesve i Melanias, morën shënime lidhur me frymëzimet e saj në jetë dhe në disa raste përfshinte fragmente nga mendimet e saj. Përvoja e saj si imigrante dhe dashuria për Amerikën, u pasqyrua në fjalimin e saj, gjë që e bëri atë aq të suksesshëm”.
Disa fjalime të tjera të hënën, ishin shumë më të zjarrta. Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani tha se shumica e amerikanëve nuk ndjehen të sigurt. Zoti Giuliani, iu rikthye edhe fjalimit të Presidentit Barack Obama në Kuvendin Demokrat të vitit 2004, ku kandidati i atëhershëm për sentor tha se, “nuk ka një Amerikë liberale, konservatore, të zezë, të bardhë, latine apo aziatike, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kuvendi, shpërtheu në kaos vetëm disa orë pasi filloi dje, kur kundërshtarët e zotit Trump ngritën zërin në sallë kur iu mohua një votim për rregullat e Kuvendit. Përkrahësit e zotit Trump i kundërshtuan ata me brohoritje. Kongresmeni Steve Womack që po drejtonte seancën, mori vendim për votim me zë dhe deklaroi se përpjekja kishte dështuar. Edhe nëpër rrugë, përkrahësit dhe kundështarët e zotit Tump mbajtën tubime vetëm një kilometër larg nga njëri-tjetri.

Artikulli paraprakLufta për hegjemoninë në Europën Juglindore
Artikulli tjetërQeveria u heq fëmijëve me aftësi të kufizuar pagesën mujore prej 9700 lekësh