Qeveria u heq fëmijëve me aftësi të kufizuar pagesën mujore prej 9700 lekësh

Një projektligj i ri i Ministrisë së Mirëqenies Sociale parashikon që fëmijëve me aftësi të kufizuar t’u hiqet pagesa prej 9700 lekësh që marrin në muaj. Sipas projektligjit kjo pagesë do konvertohet në shërbime. Por sipas Shoqatës “Down Sindrom” heqja e pagesës është një problem i madh për prindërit. Mirela Juka koordinatore e kësaj shoqate thotë se nuk ka ambiente që fëmijët me aftësi të kufizuar të marrin shërbime. Juka shprehet se prindërit tashmë duhet të lënë punën për t’u kujdesur për fëmijën e tyre deri në moshën 2 vjeç dhe në këtë rast nuk do marrin as pagesën. Gjithashtu ky projektligj është kundërshtuar edhe nga shoqatat e tjera të aftësisë së kufizuar. Kjo për shkak se ul pagesën për disa kategori, aq sa është pensioni social, pra 6750 lekë, ndërkohë që tani masa e pagesës është më e lartë. Nga ana tjetër, në vjeshtë, personat me aftësi të kufizuara pritet të dalin në protesta në të gjithë vendin. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj ka deklaruar se qeveria po u heq pagesat për ata që marrin një rrogë apo pension pleqërie. Ai theksoi se ky planveprim i qeverisë nuk mbështet kategorinë e të verbërve, ul pagesat e paaftësisë dhe përjashton fëmijën nën 2 vjeç të lindur me kufizime fizike. Tafaj: “Vendosja e kritereve të moshës, do të thotë t’u vështirësosh jetën e tyre prindërve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara. Baza mbi të cilën do të llogariten të ardhurat e pagesës së aftësisë së kufizuar do të jetë pensioni social, i cili është 67 mijë lekë”. Tafaj u bëri apel institucioneve dhe shoqatave për t’u ardhur në ndihmë, në të kundërt ata paralajmërojnë se do të ndjekin rrugë të tjera për të hedhur poshtë këtë planveprim të qeverisë. Tafaj: “Unë këtë shqetësim ia kam bërë të ditur organizatave kombëtare, siç është Shoqata e Paraplegjikëve, organizatës së invalidëve. Të gjithë e dinë dhe unë shpresoj që ata të reagojnë. Gjithsesi, të verbrit janë të përgatitur për të reaguar”. “Vendimi i 8 qershorit ka cenuar rëndë pagesën e aftësisë së kufizuar, që nuk është më një kompensim financiar për këtë kategori, por është kthyer në një pagesë ekonomike për të mbijetuar për ata njerëz që nuk kanë asnjë lloj të ardhure. Për të marrë këtë pagesë nuk duhet të marrësh pension invaliditeti apo pleqërie sipas Ligjit 7703”, ka deklaruar Tafaj. Edhe fëmijët e vegjël nën dy vjeç, të cilët kanë aftësi të kufizuara nuk do të trajtohen me pagesë. Ky vendim i qeverisë hyn në fuqi më 1 shtator, për t’u zbatuar si fillim si projekt pilot në njësitë numër 6 dhe 7 në Tiranë për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.

Artikulli paraprakMelania Trump, fjalimi si një emigrante
Artikulli tjetërPunësimi, ku jemi sot?