Mediu: Bashkoni votat me PD, maksimalizojmë mandatet

Kryetari i Partisë Republikane u ka kërkuar mbështetësve të tij të votojnë Partinë Demokratike më 25 qershor për të maksimalizuar mandatet në Parlament. Gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në Kavajë ai shpreh besimin se një individ i fortë do t’i japë shtysë të madhe ekonomisë. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim elektoral me banorët e Komunës Synej në Kavajë. Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm dhe kandidati për kryetar bashkie në Kavajë, Isa Sakja, u nënvizua rëndësia që ka bujqësia në programin e opozitës. Sipas Mediut mbështetja për këtë sektor dhe taksimi i ulët e i ndershëm, do të jenë shtylla qendrore ekonomisë së fortë dhe të qëndrueshme kombëtare, që do të ndërtojë “Republika e re”. “A shitet jeta e fëmijëve tuaj, a shitet Shqipëria? Absolutisht jo. Kemi besim që një individ i fortë ka mundësi të ndërtojë një ekonomi të fortë”. Mediu i bëri thirrje edhe një herë përkrahësve të Partisë Republikane, që të gjitha votat duhet të shkojnë për Partinë Demokratike për të maksimalizuar mandatet për koalicionin opozitar. “Ka vetëm një votë, numri 6, Partia Demokratike dhe emri i Lulzim Bashës”. Në takim, kandidati për kryetar bashkie, Isa Sakja, u shpreh i bindur në realizimin e programit të hartuar nga Partia Demokratike dhe impaktin e rëndësishëm që do të ketë për Kavajën.

Artikulli paraprakDuka: Shpirti demokrat do triumfojë fuqishëm në këto zgjedhje
Artikulli tjetër“Corriere della Sera”: Narkomafia në Shqipëri e njëjtë me Kolumbinë