Mediat italiane: Vëllai i kryetarit të Qarkut u arrestua për trafik droge

Mediat italiane kanë zbuluar foton e Edmond Stafës, vëllait të kryetarit të Qarkut të Elbasanit dhe ish-deputetit socialist, Bukurosh Stafa. Ai është dënuar në vendin fqinj me 9 vjet e 11 muaj burg për trafik droge. Stafa ka qenë në kërkim nga policia prej 8 vitesh. Urdhër-arresti për kapjen e tij u ekzekutua nga Interpol Tirana.
Ai u kap në ambientet e biznesit që ka në pronësi. Edmond Stafa është pronar i hotel-bar-restorantit “Skampini” që ndodhet në zonën e Kalasë së Elbasanit, një vend i njohur në qytet. Pritet, që ai të ekstradohet në Itali. Burime zyrtare nga policia shqiptare njoftuan, se ai është dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike nga Gjykata e Bergamos në Itali.
Pas arrestimit, Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë një muaj burg. Pritet që në afatin 1-mujor të mbërrijë nga Italia dosja e plotë e tij e më pas të vendoset nëse do ekstradohet apo do shlyejë dënimin në Shqipëri.
Stafa ka qenë në kërkim nga autoritetet italiane prej 8 vitesh me akuzën e trafikut të drogës. Ai është shpallur në kërkim që nga 2009-ta, kur gjatë një aksioni të policisë italiane është kapur 28 kg heroinë e fshehur në një apartament në Stezzano, në provincën e Bergamos. Arrestimi i Stafës pason atë të bashkëpunëtorit të tij, Blendi Çepës, në nëntor 2015, po në Elbasan.
Edmond Stafa është vëllai i kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan dhe ish-deputetit socialist, Bukurosh Stafës. Stafa, pjesë e PS-së, është zgjedhur në krye të Këshillit të Qarkut Elbasan për mandatin 2015-2019. Në vitin 2005 deri në vitin 2009, ai është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për zonën e Elbasanit, nga listat e PS-së. Disa ditë më parë, në lokalin e Edmond Stafës, “Skampini” ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, ku zhvilloi një miting me gratë e Elbasanit.

Artikulli paraprakGjykata e Krimeve të Rënda rrëzon kërkesën e Shullazit
Artikulli tjetërGrabiten 2 milionë lekë në një “Exchange” në Tiranë