Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzon kërkesën e Shullazit

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzon kërkesën e Emiljano Shullazit dhe “bandës” së tij, për përjashtimin nga trupi gjykues të gjyqtarit Bib Ndreca. Gjyqtari Dritan Hallunaj, vendosi të rrëzoi kërkesën me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore përjashtimi i tij. Kështu që me rrëzimin e kërkesës, pritet që ditën e martë të nis procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si pjesëtar të bandës së tij. Në seancën e kaluar avokatët kërkuan që Gjykata të thërrasë me cilësinë e dëshmitarëve edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe zyrtar të tjerë të policisë, kërkesë për të cilën pritet të shprehet Gjykata.
Emiljano Shullazi dhe banda e tij, akuzohet për 9 vepra penale mes tyre gjobëvënie, kanosje, shpërthime me eksploziv e grup të strukturuar kriminal. Sipas akuzës, zbardhja e krimeve të Shullazit kanë nisur pas bashkëpunimit me drejtësinë të biznesmenit Ylvi Beqja. Ky i fundit, thuhet në dosje, fillimisht ka kërkuar ndihmë nga Emiljano Shullazi për të marrë pronën e tij ish-hotel “Vollgën”. Më pas, pas regjistrimit të pronës, Beqja thotë se 39-vjeçari Shullazi e ka detyruar të firmosë kontratën e dhurimit të 30% të pronës që ndodhet në Durrës. Veç kësaj, Beqja i ka thënë prokurorëve se Shullazi dhe banda e tij në disa raste të ndryshme, nën kërcënimin e dhunës dhe kanosjes i kanë marrë atij në formën e gjobës rreth 550 mijë euro.

Artikulli paraprakAnestezisti që tentoi vetëvrasjen niset në Itali
Artikulli tjetërMediat italiane: Vëllai i kryetarit të Qarkut u arrestua për trafik droge