Mediat e huaja: Shqiptarët në protestë si në Rumani

Shqipëria përfshihet nga protestat mbarëpopullore ashtu si në Rumani. Media prestigjioze ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së opozitës të organizuar këtë të shtunë në qendër të Tiranës. Prestigjiozja “The Washington Post” shkruan: Opozita demokratike e Shqipërisë në protestë për zgjedhje të lira. “Lideri i partisë më të madhe opozitare në vend konfirmoi se, protestat do të vijojnë derisa qeveria të dorëhiqet dhe të krijohet një qeveri teknike, e cila do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lulzim Basha udhëhoqi protestën, ku të pranishëm ishin mijëra protestues që akuzonin qeverisjen socialiste në përpjekjet e saj për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme”, citonte “Washington Post”, ndërsa shkruan se zgjdhjet në Shqipërinë post-komuniste nuk janë vlerësuar asnjëherë nga vëzhguesit ndërkombëtarë si plotësisht të lira e të ndershme.
Gjithashtu, “Washington Post” nuk lë pa përmendur faktin që mbarëvajtja e zgjedhjeve të 18 qershorit është kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por qeveria justifikohet me faktin se nuk ka kohë për votim elektronik, që është edhe kushti kryesor që opozita të njohë zgjedhjet.
Protesta është raportuar nga të tjera media ndërkombëtare si “Associated Press”, “Agensia NOVA”, “Notizie Geopolitiche”. Të gjitha mediat e kanë pasqyruar protestën si një veprim i opozitës për të siguruar zgjedhjet e lira dhe krijimin e një qeverie teknike. Mediat ndërkombëtare kanë shkruar për protestën madhështore që po zhvillohen në Shqipëri. Kryesisht mediat italiane kanë shkruar për protestën dhe situatën në vend.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se tubimin e mijëra vetëve, Lulzim Basha e drejtoi me akuzat ndaj qeverisë socialiste të Edi Ramës se po përpiqet të manipulojë procesin e votimit.
“Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit shpresohet shumë që t’i hapin vendit rrugën drejt dritës jeshile të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit” shkruan AP. “Fox News” e titullon shkrimin e saj në faqen online: “Opozita shqiptare në protestë për zgjedhje të lira”. “ANSA” i ka kushtuar një artikull protestës së opozitës shqiptare me titull: “Shqipëri, protesta pa kthim kundër qeverisë. Ngrihen tenda. Basha: Në rrezik zgjedhjet, duhet qeveri teknike”.
Një prej mediave italiane, “Notizie Geopolitiche” shkruan se, shqiptarët janë duke protestuar kundër qeverisë dhe protesta e tyre është njësoj si ajo në Rumani. Ndërsa një tjetër agjenci e pasqyron protestën, ndërsa thekson faktin se, protesta do të vazhdojë në një çadër të ngritur përballë Kryeministrisë. Mediat ndërkombëtare vënë theksin tek kauza e kësaj proteste, përmes të cilës opozita kërkon që qeveria të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Lulzim Basha udhëhoqi të shtunën disa mijëra protestues në manifestimin kundër qeverisë së majtë të kryeministrit Edi Rama, të cilin opozita e akuzon për manipulim të zgjedhjeve,   shkruan AFP.

“Zëri i Amerikës”: Protesta e opozitës para Kryeministrisë pa afat

Partia Demokratike nisi sot një protestë pa afat në sheshin para Kryeministrisë, ku po kërkon garanci për organizimin e zgjedhjeve të lira e të drejta në qershor.
“Duam zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pushteti i korruptuar dhe kriminelët duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot para mijëra protestuesve nga gjithë vendi në tubimin e opozitës para Kryeministrisë se “qeveria Rama e ka çuar vendin në mjerim e varfëri”, dhe “pasi ka vjedhur fondet publike tani është gati të vjedhë edhe zgjedhjet”.
“Ose do të bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë. Rrugë të mesme nuk ka. Rrugë tjetër nuk ka. Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë. Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Europës nuk do t’i pranojmë. Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë”, tha zoti Basha.
Zoti Basha tha se, Shqipëria ka nevojë të kthehet në rrugën e sigurtë drejt të ardhmes, sepse, sipas tij, qytetarët kanë nevojë të mbrohen nga arroganca, nga padrejtësia, varfëria, korrupsioni dhe krimi.
Ai theksoi se, vendi po vuan nga papunësia, e emigrimi, të cilat po e shkatërrojnë Shqipërinë.
“Qeveria Rama dështoi të sjellë një jetë më të mirë për shqiptarët, ajo nuk hapi vendet e punës dhe as mjekësinë falas, që premtoi, e tani, njerëzit janë të frikësuar për të ardhmen e fëmijëve, për shëndetin, për taksat dhe papunësinë”, tha zoti Basha.
Ai kërkoi qeveri teknike për të organizuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Protestuesit ngritën një tendë të përmasave të mëdha në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” fare pranë zyrave të qeverisë, ndërsa organizatorët deklaruan se qëndrimi aty do të jetë pa afat.
Forcat e rendit morën një seri masash për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit dhe asnjë incident apo konfrontim nuk e regjistrua gjatë protestës dhe ndërtimit të tendës.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u deklaroi mediave se, policia është aty për të mbrojtur qytetarët dhe jo për t’u konfrontuar me ta, dhe se ata ishin të lirë të qëndronin aty.
Kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se 6 vjet më parë, pikërisht në atë vend 4 protestues humbën jetën në demonstratën e Partisë Socialiste atëherë në opozitë, ndërsa sot autoritetet po garantonin mbarëvajtjen e protestës së demokratëve.
Një numër protestuesish po qëndrojnë në tendën e ndërtuar me shpejtësi, duke sfiduar të ftohtin dhe vështirësitë e stinës.

ANSA: Shqipëria në protestë. Zgjedhjet në rrezik duhet qeveri teknike

Opozita shqiptare e udhëhequr nga Lulzim Basha  doli sot në shesh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverisjeje teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe standarde europiane më 18 qershor. Përballë një turme të madhe prej mijëra e mijëra protestuesish, Basha lajmëroi se protesta do të jetë pa afat, ndërsa aty pranë një tendë nisi të ngrihej për të strehuar protestuesit.  “Ne do të qendrojmë në këtë shesh derisa të garantohen zgjedhjet e lira. Në të kundërt nuk do të zhvillohen zgjedhje. Unë do të qendroj këtu”, deklaroi Basha, i cili bashkë me drejtues të tjerë të opozitës u ul në shesh në bulevardin para godinës së Kryeministrisë. “Kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe drogën, nuk mund të garantoj një proces normal elektoral”, ka nënvizuar Basha, ndërsa ka shtuar se “qeveria e Ramës kanë qenë një dështim. Kryeministri ka turp nga vendi i tij dhe sot ne nisim rrugën për t’i kthyer vendit rrugën e sigrutë drejt të ardhmes”.  Gjatë manifestimit nuk pati incidente.

Artikulli paraprakPjesëmarrja në protestë përtej parashikimeve
Artikulli tjetërAderholt-Bashës: Mbështetje në kauzën për zgjedhje të lira