Pjesëmarrja në protestë përtej parashikimeve

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, njëherësh dhe një nga organizatorët e protestës, Arben Ristani, ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në largimin nga pushteti të Kryeministrit Edi Rama. Në një prononcim për mediat, Ristani u shpreh se kjo do të arrihet përmes protestës popullore me të gjitha mjetet demokratike. Sa i përket procedimit penal ndaj tij për shkak të tejkalimit të orarit të protestës, Arben Ristani theksoi se kjo është çështje e parëndësishme. “Pjesëmarrja e popullit tej parashikimeve, që do të thotë se të gjithë bashkohen se Shqipëria po shkon keq e më keq, që jemi vendi më i varfër në rajon, me administratë të kriminalizuar, me pushtet të kriminalizuar dhe që sot rrezikojmë zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo është kauza jonë. Nuk kemi synim tjetër, do ja arrijmë patjetër. E vetmja mënyrë të rrëzojmë Ramën dhe bandën e tij. Orari? Janë gjëra të parëndësishme. E rëndësishme që t’u japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Ristani. “Siç e patë, pjesëmarrja e popullit në protestë ishte shumë e madhe. Përballë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk vëmë synim tjetër. Këto janë gjëra të parëndësishme, e rëndësishme është t’u japim shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protesta në atë kohë e rilindësve ishte protestë e bandave të krimit për të prurë krimin në pushtet, për të zhvatur Shqipërinë, prandaj i bënë ato protesta. Synojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ia arrijmë nëpërmjet protestës së pandalshme gjithmonë e më masive derisa Rama dhe banda e tyre të na hiqen qafe. Nëse Edi Rama nuk largohet, do ta largojmë me forcën e popullit. Me forcë nënkuptoj forcën e protestës demokratike. Do të përballet me zemërimin popullor që do të vijë në ngritje”, deklaroi deputeti demokrat Arben Ristani.

Artikulli paraprakShifra ekskluzive, si po sëmuret Shqipëria
Artikulli tjetërMediat e huaja: Shqiptarët në protestë si në Rumani