Mbi 100 zjarre vetëm në muajin gusht në Gjirokastër

Mbi 100 vatra zjarri dhe mijëra hektarë me pisha të djegura vetëm në muajin gusht në Gjirokastër. Për fat të mirë nuk pati dëme në banesa dhe në njerëz, por dëmi në natyrë është i pallogaritshëm. Me logjistikë të dobët, infrastrukturë të vështirë, të paktë në numër, por megjithatë forcat zjarrfikëse thonë se bënë gjithçka mundën.
“Ne vetëm në muajin gusht kemi pasur 87 vatra zjarri, 3 zjarre të tjera në godina si dhe tre ndërhyrje në shtëpi, Ndërhyrjet operacionale kanë qenë mbi 100”. Sipas shefit të zjarrfikësve Kujtim Bizhga, shumica e zjarreve kanë qenë të qëllimshëm nga banorë të zonës. “Zjarret nuk i shkaktoi natyra, por dora e njeriut në shumicën e rasteve”, thotë ai.
Pyjet e mrekullueshme përballë Ujit të Ftohtë u shkrumbuan gjatë kësaj vere. Banorët që jetojnë në këtë zonë shprehen se, të gjithë zjarret kanë qenë të qëllimshme, ndërkohë që policia nuk ka vepruar në asnjë rast. Sipas tyre, mafia e drogës që vitin e kaluar ka pasur epiqendër Tepelenën, po hap toka të reja për mbjelljen e kanabisit.
Që trafikantët e drogës të mbështetur nga kreu i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, janë zotër të territorit në këtë rreth, u vërtetua vitin e kaluar, kur nuk ra asnjë zjarr, pasi vendi ishte i mbushur me qindra parcela me kanabis me lejen dhe mbrojtjen e forcave të policisë. Këtë vit, trafikantët të mbështetur edhe nga policia po djegin pyjet për të hapur toka për mbjelljen e kanabisit.
Në Qarkun e Fierit, gjatë stinës së verës janë regjistruar 356 raste zjarresh. Për pasojë janë djegur me dhjetëra hektarë me pyje dhe pemë frutorë. Në lidhje me këtë situatë, prefekti i Qarkut Vasil Bregu zhvilloi një takim me përfaqësues të Bashkisë dhe Policisë. Për përballimin e Emergjencave, Bregu kërkoi një bashkëpunim më intensiv mes institucioneve. Në qendër të takimit ka qenë dhe aksioni kundër ndërtimeve pa leje, për të cilin prefekti tha se nuk synon terrorizmin e qytetarëve, por orientimin e tyre drejt rrugës ligjore. Po ashtu, prefekti apeloi për rehabilitimin e rezervuarëve dhe kanaleve kulluese për t’i paraprirë reshjeve të shiut gjatë stinës së dimrit, të cilat vitet e kaluara kanë shkaktuar përmbytje.

Artikulli paraprakShkodër, thatësira nxjerr anijen shekullore në liqen
Artikulli tjetërSi torturoheshin të internuarit në Valias