Maskat terror në Shkodër, grabisin 30 milionë lekë në një banesë

Maskat ushtrojnë terror në një familje në Shkodër. Kur ende nuk kishte perënduar dielli, dy persona të maskuar kanë hyrë në një banesë në lagjen “Naim Gjylbegu”, ku kanë dhunuar të zonjën e shtëpisë dhe kanë grabitur një shumë parash. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në orën 20:20 minuta, kur dy personat e maskuar kanë hyrë në banesën e qytetarit me inicialet B. B., 53 vjeç.
Kur të maskuarit kanë hyrë në banesë janë përballur me gruan që ndodhej aty me inicialet S.B., të cilën e kanë terrorizuar duke e goditur me grushte e shkelma disa herë.
Pas kësaj, dy personat e maskuar kanë grabitur shumën prej 30 milionë lekësh dhe janë zhdukur. E moshuara ka njoftuar menjëherë policinë. Bëhet e ditur se policia ka mbërritur në vendin ngjarjes, por pa mundur të zbulojnë autorët e grabitjes. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve të grabitjes, por ende nuk ka asnjë të dyshuar.
Ky nuk është rasti i parë i terrorit të maskave në Shkodër. Para disa ditësh, tri persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e një çifti të moshuarish me qëllim grabitjen. Sapo janë futur në banesë maskat kanë dhunuar barbarisht të moshuarit, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Burri ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, pasi është goditur me qytën e pistoletës. Grabitësit pasi kanë marrë një shumë parash janë larguar me shpejtësi. Edhe për këtë rast policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e grabitjes.
Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për qytetarët në të gjithë vendin. Para disa ditësh tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një supermarket, pasditen e djeshme, në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” në Vlorë. Tre personat e maskuar, njëri prej të cilëve i armatosur me një “Pistoletë”, janë futur në supermarket dhe pasi kanë marrë xhiron ditore, rreth 500 mijë lekë janë larguar menjëherë. Policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e grabitjes.

Artikulli paraprakKokainë e pastër nga Shqipëria në Itali, arrestohen 16 shqiptarë
Artikulli tjetërSkandali me mbeturinat e Spitalit të Korçës, një i dënuar fiton tenderin