Masat e reja të sigurisë në SHBA, më shumë kontrolle në aeroporte

Shtetet e Bashkuara po forcojnë masat e sigurisë për të gjitha linjat e huaja ajrore që vijnë në aeroportet amerikane, por tani për tani nuk po i përfshijnë kompjuterat që udhëtarët marrin me vete në avionë në masat ndaluese.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, John Kelly tha dje se kërcënimet ndaj sigurisë së aviacionit nuk janë pakësuar, madje ai shprehu shqetësimin se është rizgjuar interesi i grupeve terroriste për të goditur në këtë drejtim.
“Është e sigurt që armiqtë tanë po punojnë vazhdimisht për të gjetur mënyra të reja për të fshehur eksplozivë, rekrutuar persona nga brenda industrisë dhe për të rrëmbyer avionë”, tha ai.
Zoti Kelly shtoi se masat e reja, disa të dukshme dhe disa të padukshme nga udhëtarët, do të fillojnë të zbatohen gradualisht gjatë muajve në vazhdim. Për pasagjerët kjo do të thotë që kontrollet në aeroporte do të zgjasin më shumë, siguria përreth avionëve dhe terminalëve do të shtohet dhe do të përdoren qen të specializuar për të diktuar bomba ose lëndë kimike.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare tha se shpreson që vende të tjera të bëjnë të njëjtën gjë.
“Nëse nuk rrisim standardet e sigurisë, terroristët që e shohin aviacionin civil si objektivin kryesor do të identifikojnë dhe sulmojnë në pikat më të dobëta. Së bashku ne kemi mundësinë që ta përmirësojmë sigurinë globale të aviacionit dhe mund ta bëjmë në një mënyrë të tillë që të mos i shkaktojë pengesa udhëtarëve. Dua të jem i qartë se siguria është shqetësimi im parësor. Armiqtë tanë përshtaten me lehtësi dhe ne duhet të përshtatemi”.
Tani për tani, Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk po i përfshin në masat ndaluese kompjuterat që pasagjerët nuk i fusin në bagazh. Ato u ndaluan në avionë që vijnë nga tetë aeroporte afrikane dhe të Lindjes së Mesme në mars, pas informacioneve të zbulimit sipas të cilave Shteti Islamik po përpiqej të ndërtonte një bombë në një kompjuter portativ.
Autoritetet amerikane kishin shqyrtuar mundësinë ta zgjeronin masën ndaluese duke përfshirë edhe fluturimet nga Evropa, por disa agjenci ajrore hezituan. Kompjuterat dhe mjete të tjera elektronike janë thelbësore për udhëtarët e biznesit.
Masat e reja të sigurisë do të prekin 280 aeroporte të huaja në 105 vende. Rreth 325 mijë vetë udhëtojnë nga ato aeroporte për në Shtetet e Bashkuara çdo ditë.
Linjave të huaja ajrore u jepen 120 ditë afat për të vënë në zbatim masat e reja dhe vetëm 21 ditë për të rritur masat e kontrollit të pajisjeve elektronike. Nëse nuk arrijnë t’i plotësojnë këto kushte, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ato mund të përballen me “kufizime shtesë sigurie”, përfshirë gjoba dhe mospranimin në aeroportet amerikane.

Artikulli paraprakGazetarët kritikë me Trump se nuk i përfill
Artikulli tjetërKërkohet burgosja e Gruevskit