Masakra e pyjeve, me mijëra pemë të prera nga veriu në jug të vendit

Edhe pse qeveria shqiptare ka shpallur për dhjetë vjet moratoriumin në mbrojtje të pyjeve, duket se ai nuk po gjen zbatim. Nga një vëzhgim i “Monitor” në disa fshatra të rajonit të Korçës, si në Uji i Bardhë, Vithkuq apo edhe Shtyllë viheshin re ngarkesa të mëdha makinash me lëndë drusore kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe natës. Edhe pse gjatë akseve rrugore është vendosur sistem kamerash për mbikëqyrjen e rrugëve dhe kalimin e mjeteve, banorët që merren me prerjen e drurëve kanë gjetur një zgjidhje të zgjuar dhe i transportojnë ato përmes furgonëve të mbyllur, në mënyrë që të mos identifikohen. Megjithatë nuk mungojnë edhe rastet kur transporti i lëndëve drusore bëhet natën.
Autoritetet shtetërore janë në dijeni të këtij trafiku të paligjshëm, madje e quajnë një situatë skandaloze, por shprehen se kjo kërkon angazhimin e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur parandalimin dhe ndëshkimin. Moratoriumi dhjetëvjeçar i pyjeve hyri në fuqi më 11 shkurt 2016. Gjatë vitit të kaluar nga Inspektorati i Pyjeve janë realizuar 8,204 inspektime ose 82.3% më shumë krahasuar me vitin 2015, kur janë realizuar 4,500 inspektime.
Sipas të dhënave të doganave dhe të sjella nga Inspektorati i Pyjeve vetëm gjatë periudhës shkurt 2016-janar 2017, importi i lëndës drusore për përdorim të brendshëm u rrit me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, po t’u referohemi shifrave të importit, me mesataren e periudhës 2008-2012, rritja e importeve në vlerë monetare është rreth 60 herë më e madhe gjatë vitit 2016. Të dhënat zyrtare tregojnë se për periudhën janar-dhjetor 2016 në shkallë vendi janë prerë ilegalisht 18,703 drurë, me volum rreth 3593.6 m³ ose 36% më pak drurë krahasuar me vitin 2015 kur janë prerë ilegalisht 27.506 drurë, me volum rreth 5480m³.
Gjatë periudhës janar–dhjetor 2016 nga ISHMP në rang kombëtar janë mbajtur gjithsej 368 procesverbale për kundërvajtje në fondin pyjor, ku vlen të theksohet se për shkelje me pasoja të rënda në pyje, janë proceduar dhe dërguar për ndjekje penale 32 raste kallëzimesh ose 20% më pak krahasuar me 2015, çka tregon një ndërgjegjësim të qytetarëve për zbatimin e ligjit.
Vlera e dëmit nga kundërvajtjet penale është 97,971,000 lekë.
Në inspektimin e ISHMP pranë 61 bashkive ka rezultuar se:
– 42 bashki kanë ngritur strukturat e menaxhimit të pyjeve.
– 12 bashki janë në proces formimit të strukturave të menaxhimit të pyjeve, të cilat janë Malësi e Madhe, Pukë, Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Lushnjë, Divjakë, Kuçovë, Ura Vajgurore, Patos, Pustec dhe Këlcyrë.
– Situatë shqetësuese e problematikë madhore ngelen ende në 5 bashki Kurbin, Durrës, Shijak, Vorë dhe Kamëz. Këto 5 bashki nuk kanë implementuar ende detyrimet ligjore që rrjedhin nga Ligji “Për pyjet dhe Shërbimi Pyjor” për ngritjen e strukturave për menaxhimin e fondit pyjor. Dy nga bashkitë ato Roskovec dhe Patos janë ende në proces inspektimi nga ana jonë. ISHMP ka lënë detyra për bashkitë me një afat për plotësimin e tyre deri në fund të muajit mars 2017.

Artikulli paraprakMbi 101 mijë punëkërkues të papunë në vetëm tre muaj
Artikulli tjetërNdërtimi mbi rrugë, paditet penalisht Filo