Mbi 101 mijë punëkërkues të papunë në vetëm tre muaj

Megjithëse nën kontrollin e qeverisë dhe në përpjekje të vazhdueshme për të manipuluar shifrat e opinionin publik njëkohësisht, as INSTAT nuk e fsheh dot nivelin e lartë të papunësisë në vend. INSTAT raporton për vetëm tre muaj një shifër prej 101 mijë punëkërkuesit, pra të papunësh, ndërkohë që deklaron se papunësia po ulet. Por nëse analizon këtë shifër zyrtare të INSTAT prej 101 mijë të papunësh të regjistruar në tre muaj kupton që niveli i papunësisë në vend sa vjen dhe rritet, në një kohë që një përqindje e lartë e të papunëve kuptohet që nuk paraqiten fare në zyrat e punës për shkak të mosbesimit se aty do të gjejnë një vend pune.
Sipas INSTAT, numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë tremujorit të katërt 2016 është 101.227, ndërkohë që qarqet e Tiranës, Fierit, Elbasanit dhe Durrësit kanë numrin më të madh të punëkërkuesve të papunë të regjistruar. Të dhënat janë publikuar në buletinin e statistikave të INSTAT ku ndër të tjera thuhet se: “Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në tremujorin e katërt 2016 është 31,8% më i ulët se sa në të njëjtin tremujor të vitit pararendës. Në krahasim me tremujorin e tretë 2016, ky tregues paraqitet me ulje prej 12%. Në tremujorin e katërt 2016, 4% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar, përfituan pagesë papunësie”, thuhet në dokumentin e INSTAT.
Sa i takon punëkërkuesve të papunë të përfshirë në skemën e pagesës së papunësisë INSTAT thotë se në 3-mujorin e katërt të 2016 rreth 4% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar, përfituan pagesë papunësie.
“Përqindja e punëkërkuesve të papunë të regjistruar në skemën e pagesës së papunësisë, ndaj punëkërkuesve të papunë të regjistruar, është më e lartë në Prefekturën e Korçës (6,3%) dhe më e ulët në Prefekturën e Fierit (1,9%). Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt të vitit 2016, numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në skemën e pagesës së papunësisë është ulur me 1.069 persona. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit pararendës, numri i punëkërkuesve të papunë në skemën e pagesës së papunësisë është ulur me 1.381 persona. Shkalla e papunësisë së regjistruar për tremujorin e katërt 2016 është 8,8%”, thuhet në dokumentin e INSTAT.

Papunësia dhe të rinjtë

Të rinjtë janë më të interesuarit për vendet e punës që ofrohen nga 80 kompanitë në Panairin e Punës. Ndërsa shpresojnë se do të arrijnë të fitojnë një vend pune, ata po aplikojnë në disa pozicione njëkohësisht. Në këtë pozitë ndodhen të rinjtë punëkërkues, të cilët po bëhen pjesë e aplikimeve në Panairin e Punës. Një, dy apo tre formularë për vende të ndryshme pune janë plotësuar prej tyre. “Momentalisht jam pa punë, jam studente në Mastër Profesional, por duke e parë dhe si Panair Pune ndaj edhe u drejtova. Momentalisht jemi në stadin që nuk na intereson shumë pjesa e pagës”, shprehet një studente. “Po më thonë që tek aeroporti ka punë, dua që të punësohem dhe më pëlqen edhe si punë. Më parë kam punuar si mësuese”.
Për të tjerë të rinj, ky Panair nuk është i pari ku kanë aplikuar për një vend pune, por ende nuk e kanë një të tillë. “Kam qenë edhe tek Panairi para këtij dhe atëherë lashë shumë CV dhe akoma jam në kërkim të një pune. Kam tentuar në të gjitha format, kam qenë tek zyra e punës, në kompani private. Ajo që më bën përshtypje është se nuk i japin përparësi, nuk ka politika që t’u japin përparësi studentëve që sapo mbarojnë shkollën. Çdo vend pune që ofrohet kërkon minimalisht tri vite pune eksperiencë”, shprehet një tjetër i ri.

Artikulli paraprakKosovë, deputetët paguhen sa pesë paga mesatare
Artikulli tjetërMasakra e pyjeve, me mijëra pemë të prera nga veriu në jug të vendit