Marotta: Dybala nuk do të largohet

Drejtori sportiv i Juventusit, Beppe Marotta, ka deklaruar dje se nuk ka asnjë shans që sulmuesi argjentinas Paolo Dybala të largohet nga skuadra në merkaton e janarit. “Pa asnjë dyshim do të qëndrojë te Juventusi. Ne e largojmë një lojtar vetëm kur ai na e kërkon një gjë të tillë dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndaj ju konfirmoj se Paolo është dhe do të qëndrojë në Torino”, u shpreh Marotta.
Për sa i përket të ardhmes së mesfushorit gjerman Emre Can, që mund të vijë te Juventusi verën e ardhshme, Marotta shtoi: “Është një lojtar i mirë dhe për ne është një mundësi e artë për ta marrë. Javët në vijim do të intensifikojmë bisedimet. Është një futbollist që i skadon kontrata, ndaj rregullat na lejojnë të bisedojmë me lojtarin dhe menaxherin e tij. Konkurrenca është e madhe, por ai mund të qëndrojë edhe te Liverpool”.
Hector Bellerin i Arsenal ka nisur bisedimet me Juventus për një transferim te bardhezinjtë në fund të sezonit. 22-vjeçari ka pasur probleme gjatë gjithë këtij sezoni dhe nuk ka treguar formën optimale, pasi në verë u hodh poshtë mundësia e kalimit te Barcelona. Ai donte të shkonte në Katalonjë, por trajneri Arsene Wenger vuri veton për ta pasur në ekip. Gjithsesi, situata mund të ndryshojë në verën e ardhshme, pasi kampionët e Italisë e kanë identifikuar spanjollin si njeriu i duhur për të luajtur në të djathtë të mbrojtjes.
Gjithashtu, Juventus është gati të përfshijë në marrëveshje edhe ish-portierin e Tottenha, Pau Lopez, sipas asaj që bën të ditur “Tuttosport”. “Zonja e Vjetër” ka ndjekur me kujdes Bellerin, që kur ai u shfaq në arenën ndërkombëtare në vitin 2014. Verën e kaluar bisedimet ngecën pasi Arsenal kërkoi 40 milionë euro. Ish-lojtari i akademisë së Barcelonës ka luajtur edhe me Watford, përpara se Wenger ta thërriste në “Emirates Stadium”, ku në sezonin e fundit nuk ka qenë titullar i rregullt.

Artikulli paraprakNeymar gëzon Realin
Artikulli tjetërPortieri që përgatit rikthimin!