Marketi: Strakoshës i dërgova sms

Federiko Marketi ka qenë në vitet e fundit pengesa kryesore për portierin e përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha. Rivaliteti mes të dyve te Lacio u mbyll me largimin e portierit shqiptar drejt Atalantës në fund të merkatos së verës. Por tanimë, gardiani italian po përballet me rivalitetin e një tjetër shqiptari, Thomas Strakoshës, i cili e ka zëvendësuar denjësisht në periudhën kur Marketi ishte i dëmtuar.
Megjithatë, në ndryshim nga Berisha, për të cilin Marketi fliste rrallëherë, ai nuk i ka kursyer fjalët e mira për Strakoshën dhe ka konfirmuar se para debutimit të tij ndaj Milanit, i kishte dërguar SMS portierit të ri shqiptar. “Çfarë këshillash i dhashë para ndeshjes? I dërgova një mesazh, i thashë që të rrinte i qetë dhe të bënte atë që di të bëjë, pasi është një portier i ri dhe me shumë cilësi. Jam i lumtur për paraqitjen e tij ndonëse nuk erdhi fitorja në atë sfidë.
Por pastaj, në ndeshjet e tjera, ka treguar se është gati për Serinë A. Jam i lumtur për të”, theksoi Marketi për mediat italiane, ku gjithsesi konfirmoi se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga roli si portier titullar te Lacio, skuadër me të cilën ka kontratë deri në vitin 2020.

Artikulli paraprakAbrashi: Jemi ende në lojë
Artikulli tjetërMontela: Kërkojmë zëvendësues të Montolivos, jo Fabregas