Abrashi: Jemi ende në lojë

Amir Abrashi humb ndeshjen e fundjavës në transfertë me Hoffeheimin për javën e 7-të të Bundesligës. Gjatë seancës stërvitore të së martës të Frieburgut, mesfushori shqiptar i sapokthyer nga grumbullimi me kombëtaren, ka pësuar një tronditje në kokë gjatë një dyluftimi e për rrjedhojë do të mungojë në ndeshjen e së shtunës si masë paraprake. Para se të ndodhë ky incident 26-vjeçari kishte dhënë një intervistë për faqen e klubit, ku ndër të tjera dha opinionin e tij për dy ndeshjet e fundit eliminatore të Shqipërisë.
Abrashi fillimisht i përgjigjet me humor pyetjes nëse e kishte përdorur pasaportën diplomatike, që të gjithë futbollistët kuqezi morën pas paraqitjes pozitive në Europian, duke kujtuar se për momentin ka udhëtuar me pasaportën normale dhe se të gjithë kuqezinjtë në njëfarë mënyre janë ambasadorë të vendit të tyre. Përsa i përket ndeshjes së fundit me Spanjën, Abrashi theksoi se pavarësisht humbjes, Shqipëria ka fituar shumë nga kjo përballje.
Ka qenë gjithmonë ndër më të mirët në fushë për Shqipërinë, por sërish nuk mërzitet nga vendimi i De Biasit për të mos e aktivizuar ndaj “La Rojas”. “Pit Bulli” i kuqezinjve tregon sa dëshironte të ishte pjesë e formacionit, por sipas tij, nuk është tragjedi që qëndroi në stol për zgjedhje taktike të trajnerit.
Spanja tregoi në “Loro Boriçi” se i përket një niveli tjetër, por për Abrashin lojtari që i ka bërë më shumë përshtypje ishte Andres Iniesta. “E admiroj këtë lojtar për cilësitë që ka, gjithmonë merr vendimet e duhura, vijoi më tej Abrashi”, ai është mesfushori më i mirë që kam parë”.
Shqipëria e realizoi ëndrrën me pjesëmarrjen në një ëndrre madhore të futbollit në “Francë 2016”. Ndërsa në kualifikueset e botërorit për shkak edhe të formatit, duhet një mrekulli për t’ia dalë mbanë.
“Kemi 6 pikë dhe kjo është e rëndësishme. Fitoret me Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin na mbajnë ende në lojë, shpjegon më tej Abrashi. Spanja ka treguar se është thuajse e pamundur për ta mposhtur. Tani duhet të fitojmë me Izraelin dhe pastaj të shohim çfarë do të ndodhë ndaj Italisë. Në Maqedoni ata e shënuan golin e fitores vetëm në minutat shtesë”.
Mesfushori kuqezi e pranoi gjithashtu se, nëse takimi i parë me Maqedoninë nuk do të ishte ndërprerë për shkak të reshjeve të shiut, Shqipëria nuk do të ishte mundur të merrte fitoren.

Artikulli paraprakReal Madridi “blindon” Toni Kroos
Artikulli tjetërMarketi: Strakoshës i dërgova sms