Manaj: Nuk jam Mesi apo Cristiano Ronaldo

I lumtur për golin e dytë në Serinë A, por edhe sepse i dhuroi ekipit të tij një pikë të çmuar në fushën e Genoa-s. Rey Manaj u shfaq i qeshur pas sfidës në “Luigi Ferraris”, ku Pescara barazoi 1-1 falë rrjetës së sulmuesit të kombëtares, i aktivizuar nga stoli si zëvendësues. 19-vjeçari po shijon momentin e mirë, por mbetet me këmbë në tokë dhe i vetëdijshëm se me ekipin që i duhet për golat e tij, sulmuesit i nevojitet mbështetja e skuadrës. “Jam i kënaqur që morëm një pikë në një fushë aspak të lehtë. Me grintën dhe dëshirën që shfaqëm në pjesën e dytë të ndeshjes, duhet të luajmë edhe në takimin e radhës, për t’i dhuruar tifozëve tanë një fitore. Mund të kishim marrë maksimumin ndaj Genoa-s, megjithatë kënaqemi edhe me një pikë”, deklaroi Manaj. Sulmuesi shtoi se, “megjithëse Pescarës i mungon fitorja, skuadra është e qetë”, pasi në pesë ndeshjet e para të kampionatit janë përballur me 5 skuadra mjaft të forta.
Manaj foli edhe rreth faktit nëse luan titullar apo zëvendësues. “Jam në dispozicion të trajnerit dhe skuadrës. Nuk jam Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, që marrin topin dhe shënojnë pa ndihmën e lojtarëve të tjerë. Unë kam nevojë për shokët e ekipit”, tha Manaj.
Pas golit me Sassuolo-n, që mbeti në fuqi si statistikë, pavarësisht fitores 3-0 të Pescarës në tavolinë dhe rrjetës ndaj Genoa-s, paraqitjet e Rey Manajt kanë entuziazmuar Interin. Në klubin zikaltër kanë shprehur besim se me kuqeziun e kanë lojtarin e së ardhmes në shtëpi, ndërsa për sulmuesin paralajmërohet një karrierë prej lojtari të madh. Huazimi i talentit shqiptar te Pescara cilësohet si vendimi më i mirë i klubit, me Manajn që në fund të sezonit pritet të kthehet te Interi, për t’u vendosur nën urdhrat e De Boer, një trajner që i pëlqen të promovojë lojtarët e rinj.

Artikulli paraprakSërish vlerësime për Strakoshën
Artikulli tjetërBarça, e frikshme!