Makthi i luftës kibernetike

Bota provoi se si mund të jetë e ardhmja e internetit muajin e kaluar pasi një sulm i madh kibernetik ndaloi aksesin në qindra faqe interneti, përfshirë Twitter, “New York Times” dhe Amazon. Sulmi i mohimit të shërbimit (DOS) që bllokoi shërbimet online deri në Evropë përmbushi parashikimet më të errëta të teknologëve dhe kërkuesve të sigurisë.
Sulmi ekspozoi në mënyrë të qartë arsyet përse duhet të shqetësohemi për epokën e ardhshme të Internetit të Gjërave, kur pajisjet elektroshtëpiake të jenë të lidhura me rrjetin. Ajo që ende nuk është bërë e qartë është se çfarë duhet të bëjmë që e ardhmja e afërt e internetit të vazhdojë të jetë e sigurtë për ne.
Deri tani, pjesa më e madhe e sulmeve kibernetike trazuese dhe shkatërruese kanë qenë puna e ushtarakëve, shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe hakerave të tjerë të sponsorizuar nga qeveria. Këto aktorë zakonisht operojnë sipas udhëzimeve dhe interesave politike dhe përdorimi i kodeve të tyre dëmtuese kufizohet zakonisht në kauza përsëri politike.
Por sipas zyrtarit të lartë të inteligjencës amerikane, drejtuesit të Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, sulmi i muajit të kaluar ishte puna e një aktori jo shtetëror dhe vlerësimet e tij janë mbështetur edhe nga raportet e firmës private të sigurisë kibernetike, Flashpoint. Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm. Barrierat për të penetruar në rrjet janë bërë më të ulëta dhe hakerat nuk kanë më nevojë për mbështetjen e qeverisë për të kryer krime apo akte të luftës kibernetike në hapësirën kibernetike.
Këto aktorë jo shtetërorë kanë veçanërisht destabilizues sepse nuk janë subjekt i mjeteve tradicionale të diplomacisë dhe ligjit. Ata operojnë përtej juridiksionit ligjor, duke injoruar kufijtë politikë gjeografikë, ndaj instrumentet e sigurisë kibernetike që deri tani kanë mbrojtur shtetet nga sulmet po bëhen të pavlefshme.
Faktori i parë që po ul barrierat është vetë përhapja e jashtëzakonshme e internetit në sferën dixhitale, të cilën aktorët jo shtetërorë e konsiderojnë si fushëbetejën e tyre. Përhapja e shpejtë e Internetit të Gjërave konsiston në pajisje të zakonshme elektroshtëpiake si kamerat e sigurisë, termostati, monitorët për fëmijë, televizori e frigoriferi tek të cilët është implementuar një adresë IP në mënyrë që pajisjet të komunikojnë me njëra-tjetrën. Interneti i Gjërave është që tani i zgjeruar dhe pritet të trefishohet në madhësi deri në vitin 2020 në pothuajse 21 miliardë pajisje të botës. Për një mbrojtës të hapësirës kibernetike, kjo do të thotë se hakerët jo vetëm që do të kenë tre herë më shumë shënjestra, por do të kenë edhe tre herë më shumë pikënisje nga ku të lëshojnë sulmin e tyre. Kjo krijon sfida akoma më të mëdha për sigurinë e rrjetit dhe ndërlikon hapësirën ligjore dhe teknike, e cila ka vështirë edhe tani të adaptohet me hapin e shpejtë të zhvillimit të teknologjisë.
Faktori i dytë që po rrit kërcënimet është kudondodhja e mjeteve për të lëshuar sulmet. Virusi Mirai i përdorur muajin e kaluar për të trazuar 50 mijë pajisje të lidhura me internetin është një tjetër sulm i ri i fuqishëm. Botnet-et dhe ushtritë e kompjuterëve zombi të infektuar me viruse janë një tjetër fenomen i ri. Risia është që këto viruse janë duke e kthyer Internetin e Gjërave në një rrjet pajisjesh zombi të infektuara, që infektojnë çdo pajisje që prekin – Interneti i Viruseve. Problemi është se kodi burim Mirai nuk mbahet në një fortesë qeveritare, por shpërndahet nëpër forume, në cepat e thellë dhe më të errët të simpatizantëve të internetit, të hakerave më të rrezikshëm që e kopjojnë dhe e lëshojnë vetëm në një klikim.
Shqetësimi është mëse i arsyeshëm. Sulmet që po përjetojmë kohët e fundit pa dyshim do të fuqizojnë korin e skeptikëve të Internetit të Gjërave. Skeptikët e teknologjisë do të pyesin: “Për çfarë i duhet frigoriferit tim lidhja me internetin?”. Problemi është se kjo është pyetja e gabuar. Ka shumë avantazhe në lidhjen e botës që na rrethon dhe pajisjeve që përdorim për të pasur kontroll më të shpejtë dhe më të mirë mbi to. Pyetja e duhur është: Si mund të parandalojmë sulmet?
Së pari, duhet të kërkojmë një nivel të lartë sigurie për çdo pajisje që do të lidhet me internetin. Një pjesë e tyre do të jenë të siguruara për shkak se prodhuesit janë të detyruar ta bëjnë që në fillim. Për shembull, prodhuesi i kamerave Hangzhou Xiongmai, tërhoqi menjëherë nga tregu miliona produkte të shitura në Shtetet e Bashkuara sepse dyshonte se ishin të prekshme nga virusi Mirai. Shumë prodhues do të rrisin masat e sigurisë për të shmangur telashet ligjore në rast të një sulmi kibernetik.
Së dyti, na duhet teknologji më e mirë për të menaxhuar në kohë reale dobësinë e Internetit të Gjërave për pajisjet. Njëlloj si shitësit e teknologjisë lëshojnë software për të rifreskuar sistemin në rast të zbulimit të një dobësie, edhe prodhuesit e Internetit të Gjërave do të implementojnë masa të tilla sigurie për pasjisjet e ndryshe dhe zgjidhjet me kosto të ulët për sigurinë e pajisjeve janë të shumta. Që tani ka filluar të ngrihet një treg i vërtetë sekondar për mbrojtjen e pajisjeve relativisht të thjeshta të lidhura me Internetin e Gjërave.
Së treti, të gjithë duhet të njohim përgjegjësinë tonë për të mbrojtur internetin si konsumatorë të tij. Edhe pse është e thjeshtë të fajësohet prodhuesi i pajisjeve, në fakt të gjithë përdoruesit duhet të tregojnë kujdes të veçantë për të mos kapur dhe shpërndarë viruse sikur të ishte gjendje gripale. Ruajtja e sigurisë është një mentalitet që duhet të fiksohet mirë në mendjen e konsumatorëve të rrjetit për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Kur lidhim një pajisje me internetin, duhet të ndryshojmë fjalëkalimin, të bëjmë rifreskimet e sigurisë dhe të monitorojmë problemet e ndryshme gjatë përdorimit.
Në muajin tetor, Shtetet e Bashkuara krijuan Muajin e Sigurisë Kibernetike Kombëtare. Sa ironik është fakti që sulmi më i madh kibernetik kundër internetit u zhvillua pikërisht gjatë atij muaji. Sulmi demonstroi më së miri faktin më bazik të realitetit aktual të sigurisë kibernetike: Gjithçka është e penetrueshme dhe në epokën dixhitale të kërcënimeve jo shtetërore, siguria kibernetike është përgjegjësi kolektive.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakZbulohen pronarët e rinj të Milanit
Artikulli tjetërOdisea hapësinore e Evropës