Magazina me tre ton drogë e kryebashkiakut dhe Drejtorit

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili e informon se droga e sekuestruar dje në Rrëshen është e kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda dhe bashkwpunwtori i tij wshtw Drejtori i Mirwmbajtjes sw Rrugwve pwr zonwn. “Qytetari dixhital denoncon: Droga e kapur në Rrëshen është e Ndrec Dedës dhe grupit të tij. Në grup, kryesor është Lazder Beci, drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve! Sb”, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Droga e kapur në Rrëshen, i nderuari zoti Berisha, është e grumbulluar nga grupi i kryetarit të Bashkisë, Ndrec Deda. Pjesë e këtij grupi të rëndësishëm edhe drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve Lazder Beci, që ka ndërruar emrin në Iliaz Beci në Selitë, që ka monitoruar gjithçka gjithë kohës, duke pasur bekimin e kryebashkiakut dhe të policisë vendore. Paraprakisht, disa fshatrave të izoluara, që kanë qenë të mbjella totalisht me kanabis, kanë filluar t’u hapin ca rrugë me fadroma, për të marrë mallin e për ta grumbulluar në atë magazinë, e cila ka qenë nën hyqmin e plotë të Ndrec Dedës!”, shkruan qytetari nga Rrësheni.
Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte e kryetarit të Bashkisë. Kompleksi i grumbullimit të kanabisit ishte fare afër komisariatit dhe Bashkisë dhe kryebashkiaku e kishte më të lehtë të kontrollonte përpunimin e kanabisit dhe bërjen e tij gati për t’u trafikuar.

Operacioni, përplasje mes policisë, ndërhyn RENEA

3 tonë kanabis janë sekuestruar dje në një magazinë në Rrëshen, ndërsa 15 persona janë shoqëruar në polici. Operacioni është zhvilluar mesditën e djeshme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, pasi policia lokale e Rrëshenit ka refuzuar të marrë pjesë në aksion për shkak të pazareve të drogës me trafikantët. Mësohet se magazina, një ish-pulari, shërbente për mbledhjen dhe përpunimin e kanabisit.
Vlera e drogës së kapur dje në Rrëshen mendohet se arrin shifrën e 1 milion eurove. Në fabrikë janë gjetur pajisje për tharje dhe qethje të kanabisit, bëjnë me dije burime brenda policisë. Gjatë operacionit të FNSH dhe RENEA në ambientet e magazinës së drogës në hyrje të qytetit të Rrëshenit janë gjetur 32 persona. Sipas burimeve të policisë, të paktën 15 prej tyre janë ndaluar, ndërsa pjesa tjetër ia doli të dalë nga zona e rrethuar e magazinës.
Disa orë pas operacionit, policia ka dhënë për mediat një informacion të shkurtër për aksionin antikanabis në Rrëshen. Në njoftim nuk jepet sasia e drogës së kapur, por thjesht bëhet me dije se janë shoqëruar 15 persona. Po ashtu, nuk publikohen as emrat e personave të shoqëruar në polici. Nuk dihen shkaqet se përse policia nuk publikon sasinë e drogës së bllokuar në magazinën e Rrëshenit. Kujtojmë se në operacionin e zhvilluar para disa ditësh në Vlorë nga Prokuroria, u sekuestruan 23 tonë drogë, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi dy ditë më pas se ishin sekuestruar 215 kg kanabis. Çako tha se, ishte një lapsus i mediave pasi nuk u sekuestruan 23 tonë kanabis, por 215 kg.
“Operacioni anticannabis i zhvilluar nga shërbimet e DVP Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe FNSH-në, i cili ka përfunduar që në orën 15:00. Është konstatuar një magazinë me një sasi të konsiderueshme lëndë narkotike. Janë shoqëruar 15 persona deri tani, të cilët po sillen në DVP Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore. Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndonëse objekti ishte një vend shumë i dukshëm dhe i ekspozuar, ai përdorej për të magazinuar tonelata kanabis. Bëhet e ditur se SHISH ka raportuar prej kohësh për këtë magazinë droge, por policia nuk ka ndërhyrë pasi droga grumbullohej nga njerëz të lidhur me policinë dhe zyrtarë të lartë. Është dashur ndërhyrja e forcave të FNSH-së dhe RENEA-s nga Tirana, për të finalizuar operacionin. Kjo nuk është magazina e parë me kanabis që zbulohet në vend. Para disa ditësh u zbulua një tjetër edhe në Krujë.
Ndonëse policia mburret me raportin e Guardia di Financës se ka shkatërruar rreth 99% të sipërfaqeve me kanabis, për çudi vazhdohet ende të ketë sasi droge që po kapet. Sa i përket të arrestuarve të këtij biznesi kriminal, në pothuajse të gjitha rastet janë punëtorë apo kultivues të zakonshëm, ndërsa mungojnë ata që cilësohen si “peshq të mëdhenj”.

Noka: Pazaret e drogës, konflikte brenda vetë policisë

Ishte deputeti i PD, Flamur Noka që paralajmëroi për zbulimin e 3 tonë droge në Rrëshen. Në një postim në rrjetin social Facebook, Noka shkruan se, ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe asaj të Lezhës dhe për këtë arsye është kërkuar RENEA nga Tirana.
“Pazaret e drogës tashmë kanë kaluar nga konflikte mes bandash në përplasje brenda vetë policisë. Në këto momente tek magazinat e ish-pularisë në qytetin e Rrëshenit zbulohen sasi të frikshme droge. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, janë rreth 3 tonë drogë. Banesa është rrethuar nga një grup i Policisë të Krimit të Organizuar të Drejtorisë Lezhë. Policia e Rrëshenit nuk pranon të ndërhyjë dhe i ka braktisur, ndërkohë dhe uniformat blu të Drejtorisë Lezhë nuk po guxojnë të ndërhyjnë. Pritet të vijnë nga RENEA. Kjo është ‘Policia që duam’ në Kanabistan”, shkruante Noka. Menjëherë pas kësaj deklarate të deputetit të PD dhe ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka në Rrëshen kanë mbërritur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA, duke rrethuar magazinën e drogës.

Policia dhe pushteti lokal bashkëpunojnë për kultivimin e kanabisit

Deputetja e PD, Albina Deda ka konfirmuar mosndërhyrjen e Policisë së Rrëshenit në aksionin për asgjësimin e 3 tonë drogë në një ish-pulari në Rrëshen. Sipas saj, në Mirditë policia dhe pushteti lokal bashkëpunojnë në korrjen, magazinimin dhe transportin e drogës.
“Vërtetohen ato që kam thënë në seancë parlamentare për mbulimin me kanabis të Mirditës. Vërtetohet lidhja e Policisë së Mirditës dhe pushtetit lokal me kultivimin, korrjen, magazinimin dhe transportin e drogës (kanabisit që ka mbuluar Mirditën). Pazaret e drogës tashmë kanë kaluar në përplasje brenda vetë policisë së implikuar”, shprehet Deda.
Më pas ajo konfirmon edhe braktisjen që policia vendore i ka bërë aksionit për asgjësimin e kësaj sasie droge. “Në këto momente tek magazinat e ish-pularisë në qytetin e Rrëshenit zbulohen sasi të mëdha droge, rreth 3 tonë drogë. Ndërtesa është rrethuar nga një grup i Policisë të Krimit të Organizuar të Drejtorisë Lezhë. Policia e Rrëshenit nuk pranon të ndërhyjë dhe i ka braktisur ndërkohë dhe uniformat blu të Drejtorisë Lezhë. Ky është shteti i Kanabistanit”, shprehet më tej Deda.

SHISH raportoi te Kryeministri për zyrtarët e policisë të përfshirë në mbjelljen e drogës

SHISH ka raportuar te Kryeministri Rama për oficerët e policisë të përfshirë në mbjelljen apo mbrojtjen e parcelave të drogës, por Rama nuk ka ndërhyrë. Burimet bënë të ditur për “Cityneës” se, raportet e SHISH që kanë qenë në duart e Kryeministrit Rama kanë emra konkretë zyrtarësh të Policisë së Shtetit në zonat jugore të vendit, por edhe në veri, të cilët jo vetëm mbronin trafikantët, por disa prej tyre janë përfshirë edhe vetë në mbjelljen e kanabisit.
Këto raporte Kryeministri nuk i ka marrë aspak për bazë, por përkundrazi, Rama sistematikisht është përpjekur të theksojë se, sipërfaqet e mbjella me drogë në Shqipëri janë më të ulëta se vitet e shkuara dhe nxiti propagandën dhe makinën e tij mediatike për të thënë se ishte mbjellë më pak drogë dhe se qeveria e kishte luftuar më fort.
Në fakt në asnjë rast Kryeministri nuk përmendi përfshirjen e vartësve të tij dhe të Tahirit në kultivimin e drogës. Disa prej tyre janë eprorë të lartë në disa qarqe, të cilët nuk merrnin vetëm një “taksë” për të mbrojtur dhe mos shkatërruar parcelat me kanabis, por ishin vetë në shumë raste, sipas raportit, kultivues apo sponsorizues për mbjelljen e drogës.
Raporti i SHISH përmban emra konkretë, elementë dhe detaje për përfshirjen e policisë në këtë trafik droge. Por çuditërisht qeveria nuk ka reaguar me institucionet e saj për të ndërhyrë ndaj tyre. I vetmi rast është ai i Kolonjës, ku një oficer krimesh u arratis se po akuzohej se ishte ai njeriu që kishte mbjellë një parcelë me mijëra rrënjë kanabis.
Kryeministri e ka mohuar përfshirjen e policisë në mbjelljen apo mbështetjen e trafikantëve. Në fakt, raportet e SHISH dërguar herë pas here te Kryeministri tregojnë se kreu i qeverisë ka qenë në dijeni të bashkëpunimit apo kultivimit të drogës nga elementë brenda Policisë së Shtetit, por gjithmonë e ka mohuar dhe nuk ka nxitur hetimet e këtyre elementëve kriminalë çka e përfshin vetë kreun e qeverisë në një vepër kriminale dhe akt kriminal.

Shqipëria po e mbush edhe Kosovën me kanabis

Vetëm dy javët e fundit në Kosovë nga operacionet e policisë janë sekuestruar mbi 200 kg lëndë narkotike e tipit kanabis sativa. Operacioni më i fundit është zhvilluar para dy ditësh nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, e cila ka ndërmarrë një operacion kontrolli në fshatin Lluzhan të Podujevës dhe ka sekuestruar dy thasë najloni të zi me kanabis, me sasi rreth 50 kg kanabis.
Në disa raste gjatë operacioneve kanë qenë të përfshirë edhe qytetarë nga Shqipëria, duke lënë të kuptohet se Kosova po kthehet një vend transit i Shqipërisë për të transportuar drogën drejt vendeve perëndimore.
Sipas raporteve zyrtare, muajin e kaluar Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione antidrogë në disa pjesë të territorit të Kosovës dhe ka sekuestruar në total mbi 200 kg lëndë narkotike të tipit kanabis sativa, e cila, sipas Policisë së Kosovës, kryesisht vjen nga Shqipëria. “Mund të themi se kanabisi në shumicën dërrmuese të rasteve vjen nga Shqipëria, ndërsa Kosova është vend tranzit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për “Express”.
Policia më tej ka nënvizuar se shtimi i kanabisit vë në rrezik edhe shtetin e Kosovës. “Shtimi i kanabisit edhe nëse vetëm kalon nëpër Kosovë është rrezik, rreziku rritet nëse shtohet numri i përdoruesve dhe kultivuesve”.
Shqipëria muajt e fundit është kthyer në një pikë kultivuese e lëndëve narkotike. Në dhjetëra operacione policore është sekuestruar tonelata lëndë narkotike, por raportet ende e tregojnë Shqipërinë një kultivuese të drogës. Vetëm para dy muajsh në zonën e Durrësit u zbulua një pistë e vogël në të cilën uleshin avionë për t’u mbushur me hashash.
Edhe gazeta italiane “Corriere della Sera” në një shkrim duke iu referuar policisë italiane ka bërë të ditur se përgjatë dy viteve të fundi është dyfishuar prodhimi i lëndëve narkotike në Shqipëri, duke e arritur masën 1000 tonë lëndë narkotike e prodhuar për 1 vit. Megjithatë, Policia e Kosovës thekson se, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka intensifikuar luftën kundër dukurisë së narkotikëve.

R.POLISI

Artikulli paraprakBashkim i të gjithë faktorëve politikë për rrëzimin e Ramës
Artikulli tjetërHapja e dosjeve të ish-Sigurimit, pse mbahet peng zbatimi i ligjit